Besa e pamposhtur në shtëpi në vitet e fundit, synon suksesin edhe ndaj Sesvetes
Që nga viti 2019, klubi i hendbollit Besa Famgas nuk ka regjistruar humbje si vendase në palestrën “Karagaçi” në Pejë në garat evropiane. Besa Famgas do të synojë që ta vazhdojë këtë ecuri fantastike edhe këtë të diele, ku përballet me Sesveten e Kroacisë, raporton KosovaPress. Por, kampiones së Kosovës në hendboll nuk i mjafton…
Sport
Besa Famgas do të synojë që ta vazhdojë këtë ecuri fantastike edhe këtë të diele, ku përballet me Sesveten e Kroacisë, raporton KosovaPress.
Por, kampiones së Kosovës në hendboll nuk i mjafton vetëm fitorja, pasi që duhet të regjistrojë fitore të thellë për tu kualifikuar tutje në Kupën Evropiane.
Në nëntor të vitit 2020, Besa Famgas në palestrën “Karagaçi” zhvilloi dy ndeshje kundër skuadrës boshnjake, Bosna Vispak Visoko, ku të dy ndeshjet i fitoi me rezultatet 36:18 dhe 32:20 për tu kualifikuar tutje.
Pas këtyre dy ndeshjeve Besa Famgas e mposhti edhe Borcin e Banjallukës 24:22, por që humbi në Banjallukë me tre gola dallim.
Në tetor të vitit 2021, Besa shënoi fitore kundër Borcin në “Karagaçi” të Pejës me shifrat 29:22, ku u kualifikua tutje, pasi që ndeshjen e parë në Banjallukë e kishte humbur 28:25.
Më 28 nëntor të vitit të kaluar, Besa Famgas regjistroi fitore kundër skuadrës së madhe rumune, Potaissa Turda me shifrat 30:28, por u mposht në Rumani 29:26 dhe nuk avancoi tutje.
Këtë vit, Besa e mposhti 35:32 Helsinkin dhe u kualifikua tutje në raundin e tretë të Kupës Evropiane, pasi ndeshjen në Finlandë e humbi me shifrat 28:27.
Javën e kaluar, Besa u mposht në Kroaci nga skuadra e Sesvetes me rezultat të thellë 31:23, ndërsa tani e synon fitoren me nëntë gola dallim për të siguruar kalimin tutje në raundin e radhës, që do të ishte sukses historik.
Besa Famgas do ta zhvillojë nesër ndeshjen kundër Sesvetes me fillim nga ora 19:00./Lajmi.net/