Behramaj pas shtyrjes së paraqitjes së Thaçit e Veselit: Po druhen që prezenca mediale e tyre ndikon te votuesit

Ish-këshilltari politik i ish-presidentit Thaçi, Adil Behramaj, e ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale për shtyrjen e paraqitjes së Thaçit e Veselit para Gjykatës Speciale deri më 16 shkurt, që më herët ishte planifikuar për datën 11 shkurt, tri ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

Lajme

10/02/2021 10:06

Behramaj ka thënë se ky vendim i Gjykatës Speciale është sërish kalkulim politik, sepse po druhen që prezenca mediale njëditore e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë, transmeton lajmi.net.

Ish-këshilltari i Thaçit ka thënë se kjo është një dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar.

Ky është statusi i plotë i Adil Behramajt, ish-këshilltarit të Thaçit:

Që nga njoftimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar për dorëzimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, një praktikë e paprecedent në drejtësinë ndërkombëtare, deri në vendimin e tashëm për shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjykatës Speciale, nga 11 shkurti në 16 shkurt, duket se nuk ka asnjë rastësi në sjelljen e kësaj gjykate me themeluesit e UÇK-së dhe themeluesit e shtetit të Kosovës.

Me publikimin e njoftimit për ngritjen e aktakuzës ende pa u konfirmuar, Gjykata Speciale bëri gjeopolitikë. Me shtyrjen e paraqitjes së tyre para Gjyqtarit të Procedurës, sepse jemi në prag të ditës së zgjedhjeve, Gjykata Speciale bëri kalkulim politik. Po i frikësohen paraqitjes së Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe në Dhomat Speciale në Hagë. Po druhen që prezenca mediale njëditore e tyre ndikon te votuesit dhe ua prishë atyre skenarin politik, që po mundohen ta jetësojnë në emër të drejtësisë.

Kjo është dëshmi tjetër që largimi i tyre nga skena politike në emër të drejtësisë ishte dhe mbetet tërësisht i sinkronizuar.

Megjithatë, të drejtën e votimit nuk ua kanë mohuar dhe votat e tyre kanë arritur nga Haga në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Hashim Thaçi e Kadri Veseli dihet kënd e kanë votuar dhe dihet se kënd do të dëshironin që ta votonit edhe ju. /Lajmi.net/