BE-ja e shqetësuar për votimin e mundshëm të nesërm në Kuvend për ndryshimet në Ligjin për Specialen

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim për mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se amendamentet e propozuara mund të bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të vendit. Në një reagim publik, BE-ja ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa…

Lajme

12/11/2026 18:04

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka shprehur shqetësim për mundësinë që Kuvendi i Kosovës të votojë nesër ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se amendamentet e propozuara mund të bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të vendit.

Në një reagim publik, BE-ja ka vlerësuar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze sa i përket respektimit të parimeve themelore të sundimit të ligjit, transmeton lajmi.net.

Në veçanti, shqetësimet lidhen me pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe garantimin e llogaridhënies efektive. Po ashtu, Bashkimi Evropian ka ngritur pikëpyetje edhe për kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve.

Në reagimin e saj, Zyra e BE-së ka bërë të ditur se ka qenë vazhdimisht e angazhuar në komunikimin e shqetësimeve dhe pritjeve të saj me autoritetet e Kosovës, që nga momenti kur ligji ishte kthyer në Kuvend për rishqyrtim.

BE-ja ka theksuar se para miratimit të çfarëdo ndryshimi duhet të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Postimi i plotë i Zyrës së BE-së në Kosovë:

Bashkimi Evropian në Kosovë merr me shqetësim mundësinë e votimit të nesërm në Kuvendin e Kosovës për ligjin që ndryshon dhe plotëson Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive. Ndryshimet gjithashtu ngrenë shqetësime lidhur me kushtetutshmërinë e tyre.

Që nga kthimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim, ne kemi qenë aktivisht të angazhuar në komunikimin e shqetësimeve dhe pritjeve tona me autoritetet e Kosovës. Kjo përfshin nevojën për konsultime paraprake para çdo miratimi, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës./lajmi.net/