Vrasja e 38-vjeçares në Austri, në nëntor nis gjykimi ndaj dy kosovarëve

Rasti i rëndë i vrasjes së një 38-vjeçareje, nënë e katër fëmijëve, në komunën Soob të Austrisë së Poshtme, do të rikthehet në sallën e gjyqit në muajin nëntor. Për këtë ngjarje, e cila tronditi opinionin publik austriak gjatë festës së Pashkëve, përballë drejtësisë do të dalin dy shtetas kosovarë. I akuzuari kryesor është bashkëshorti…

Bota

12/11/2026 16:39

Rasti i rëndë i vrasjes së një 38-vjeçareje, nënë e katër fëmijëve, në komunën Soob të Austrisë së Poshtme, do të rikthehet në sallën e gjyqit në muajin nëntor. Për këtë ngjarje, e cila tronditi opinionin publik austriak gjatë festës së Pashkëve, përballë drejtësisë do të dalin dy shtetas kosovarë.

I akuzuari kryesor është bashkëshorti 47-vjeçar i viktimës, i cili dyshohet se e vrau atë më 5 prill. Ndërsa në të njëjtin proces gjyqësor do të përballet me akuzat edhe një 45-vjeçar, i cili dyshohet se i kishte siguruar armën e krimit, duke qenë në dijeni për qëllimin e të njohurit të tij, transmeton lajmi.net.

Sipas raportimit të gazetës austriake “Heute”, 45-vjeçari akuzohet për trafikim të paligjshëm të armëve dhe ndihmë në kryerjen e vrasjes. Për shkak të rëndësisë së akuzave, edhe ai mund të përballet me dënimin maksimal.

Ngjarja makabre kishte ndodhur në ditën e Pashkëve. Sipas aktakuzës, 47-vjeçari kishte shkuar te bashkëshortja e tij, me të cilën ishte i ndarë, me arsyetimin se do t’i dërgonte dhurata për festën.

Por, ai dyshohet se kishte nxjerrë një pistoletë të tipit Beretta dhe kishte qëlluar tri herë drejt 38-vjeçares. Më pas, sipas pretendimeve të prokurorisë, e kishte goditur rreth 40 herë me kaçavidë në pjesën e sipërme të trupit.

Pas sulmit, i dyshuari dyshohet se e kishte tërhequr trupin e viktimës drejt kopshtit dhe e kishte mbuluar me mbeturina.

Vrasja shkaktoi reagime të shumta në Austri, ndërsa për katër fëmijët e viktimës u organizua edhe një fushatë humanitare, përmes së cilës u mblodhën rreth 4 mijë euro donacione. Sipas mediave austriake, njëri prej fëmijëve merret me futboll dhe konsiderohet talent i ri në këtë sport.

I dyshuari për furnizimin me armë mohon akuzat

45-vjeçari, i cili prej disa muajsh ndodhet në paraburgim, i ka mohuar akuzat përmes avokatit të tij, Mirsad Musliu.

Mbrojtja kundërshton pretendimin se klienti i tij ia kishte shitur pistoletën të akuzuarit kryesor për 900 euro. Sipas versionit të mbrojtjes, 45-vjeçari kishte tentuar t’ia shiste armën një personi tjetër dhe nuk kishte pasur asnjë përfshirje në vrasjen e 38-vjeçares.

Ekspertiza psikiatrike ngre dyshime për përgjegjësinë penale të 47-vjeçarit

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm në këtë rast është ekspertiza e re psikiatrike, sipas së cilës 47-vjeçari vuan nga një gjendje psikotike dhe vlerësohet si i papërgjegjshëm penalisht.

Sipas “Heute”, gjatë qëndrimit në burg ai kishte folur vazhdimisht për magji të zezë dhe demonë. Madje, dyshohet se besonte se bashkëshortja e tij ishte shtrigë, ndërsa personelin e burgut e konsideronte si njerëz që po përgatiteshin për ferrin.

47-vjeçari ka edhe të kaluar kriminale. Sipas raportimeve të mediave austriake, ai kishte vuajtur më parë 16 vjet burgim për një sulm me armë zjarri ndaj një personi që punonte si sigurimtar në një lokal nate.

Se si do të përfundojë procesi ndaj dy të akuzuarve pritet të vendoset në Gjykatën Rajonale të Wiener Neustadt, ku seanca gjyqësore është paraparë të mbahet në mesin e muajit nëntor./lajmi.net/