Egjipti e fut në listën e terrorizmit një fondacion nga Kosova| Kuptohet nëse është aktive organizata dhe si ishte regjistruar
Autoritetet egjiptiane kanë përfshirë 35 organizata, shoqata dhe institucione islame që lidhen me vende evropiane në listën kombëtare të organizatave terroriste. Në mesin e tyre figuron edhe një fondacion i identifikuar si organizatë nga Kosova. Vendimi është marrë më 10 nëntor 2026 nga Gjykata Penale në Kajro, ndërsa me të njëjtin vendim në listën e…
Lajme
Autoritetet egjiptiane kanë përfshirë 35 organizata, shoqata dhe institucione islame që lidhen me vende evropiane në listën kombëtare të organizatave terroriste. Në mesin e tyre figuron edhe një fondacion i identifikuar si organizatë nga Kosova.
Vendimi është marrë më 10 nëntor 2026 nga Gjykata Penale në Kajro, ndërsa me të njëjtin vendim në listën e terroristëve janë përfshirë edhe 36 persona. Masa është caktuar për një periudhë pesëvjeçare.
Aktvendimi është publikuar në fletoren Zyrtare të Egjiptit, në kuadër të lëndës numër 11108 të vitit 2026, e cila trajtohet nga Prokuroria e Lartë për Sigurinë Shtetërore.
Në mesin e organizatave të përfshira në listë është edhe Këshilli i Myslimanëve të Evropës, së bashku me degët e tij, si dhe organizata të tjera që lidhen me Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Italinë, Suedinë dhe Zvicrën.
Ndërkaq, organizata e identifikuar si nga Kosova mban emrin “Cultural Foundation for Science and Education”, që në shqip përkthehet “Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim”.

Lidhur me këtë rast, lajmi.net ka kërkuar sqarime nga Ministria e Administratës Publike dhe Digjitalizimit, për të kuptuar nëse kjo organizatë është apo ka qenë ndonjëherë e regjistruar në Kosovë.
Egjipti i shpall si terroriste një numër të madh organizatash, mes tyre edhe një nga Kosova
Në përgjigjen e dhënë për redaksinë tonë, DKPA ka bërë të ditur se në regjistrin zyrtar të organizatave joqeveritare nuk figuron asnjë fondacion me këtë emër, qoftë aktiv apo i ç’regjistruar.
Sipas ministrisë asnjëherë deri më tani në Kosovë nuk ka qenë i regjistruar një fondacioni tillë dhe se organizatat që regjistrohen në DOJQ pajisen me certifikatë dhe numër unik të regjistrimit, e që në rastin konkret nuk u dha.
Sipas ministrisë në rast se do ekzistonte një numër i regjistrimit do mund të verifikohej saktësisht, pasi emri ka mund të ndryshohet dhe kësisoj mbetet enigmatike regjistrimi apo ekzistimi i saj si organizatë joqeveritare në vendin tonë.
“Regjistrin e OJQ-ve, të cilin e administron DOJQ, nuk ka asnjë organizatë me emrin “Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim”, qoftë aktive apo e çregjistruar, pasi që asnjëherë deri më tani një fondacion i tillë, me këtë emër, nuk ka qenë i regjistruar. Organizatat që regjistrohen në DOJQ pajisen me certifikatë dhe me një numër unik të regjistrimit, i cili nuk jepet në këtë rast. Nëse sigurohet numri i regjistrimit, atëherë ekziston mundësia që të verifikohet më saktësisht, sepse ka mundësi që ky emër të jetë i ndryshuar. Ju informojmë se kjo organizatë me emrin “Cultural Foundation for Science and Education” apo në shqip “Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Edukim”, siç është publikuar në media, nuk ka qenë dhe nuk është e regjistruar në DOJQ”, thuhet në përgjigjen e MDAP-së.
Kështu që nga përgjigjja e ministrisë rezulton se fondacioni i përmendur në vendimin e autoriteteve egjiptiane nuk figuron në regjistrin e OJQ-ve në Kosovë me emrin e publikuar.
Megjithatë, ministria ka lënë të hapur mundësinë e verifikimeve të mëtejshme nëse sigurohet numri unik i regjistrimit, duke theksuar se organizata mund të ketë pasur një emër tjetër.
Por pse Egjipti i shpalli terroriste?
Përfshirja e këtyre organizatave lidhet me qëndrimin e autoriteteve egjiptiane ndaj Vëllazërisë Myslimane (Muslim Brotherhood), lëvizje islamiste që Egjipti e ka shpallur organizatë terroriste që nga viti 2013.
Pas rrëzimit të presidentit Mohamed Morsi, i cili ishte pjesë e kësaj lëvizjeje, autoritetet egjiptiane ndërmorën një fushatë të gjerë kundër saj, duke ndaluar aktivitetet e organizatës dhe duke ndjekur penalisht drejtues dhe anëtarë të saj.
Më 9 nëntor 2026, Egjipti e vendosi përfundimisht Vëllazërinë Myslimane në listën e organizatave terroriste, duke e zëvendësuar regjistrimin e mëparshëm të përkohshëm me një vendim të përhershëm.
Vendimi i një dite më pas, që përfshin 35 organizata evropiane, shihet në këtë kontekst si zgjerim i masave kundër rrjeteve dhe institucioneve që autoritetet egjiptiane i konsiderojnë të afërta me këtë lëvizje./Lajmi.net/