Balotelli nuk është Suarez

Menaxheri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini lavdëron kualitetet e Mario Balotellit por insiston se Liverpoolit do t’i mungojë Luis Suarez, i cili u largua nga klubi duke iu bashkuar Barcelonës.

Sport

22/08/2014 23:03

Liverpool është shumë pranë zyrtarizimit të marrëveshjes për transferimin e sulmuesit Mario Balotelli nga Milan.

Ylli italian do të jetë zëvendësuesi i Luis Suarezit, i cili u largua nga klubi më herët gjatë këtij afati kalimtar të verës në drejtim të Barcelonës.

Por, menaxheri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini ka theksuar se Balotelli nuk është në nivel me Suarezin.

“Mendoj se Balotelli është një futbollist mjaft i mirë, u largua nga City për t’u rikthyer në Itali. Por, një sulmues si ai mund të luajë kudo”, u shpreh kiliani, që megjithatë nuk është i bindur nëse Balotelli është zëvendësues ideal për Suarezin.

“I njoh mirë karakteristikat e futbollistit, të gjithë i dinë. Nëse Liverpool mendon se ka sjellë një përforcim të duhur, mirë për ta. Por, unë mendoj se këtë vit atyre do t’ju mungojë Luis Suarez”, theksoi Pellegrini.