Arrestohet një person për therjen në Mitrovicën e Veriut, rasti po hetohet si vrasje në tentativë
Një person është arrestuar pas incidentit me thikë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Mitrovica e Veriut, ndërsa rasti tashmë po trajtohet si vrasje në tentativë. Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëvendësdrejtori i Policia e Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani. Sipas tij, policia është njoftuar nga spitali për një person të plagosur…
Lajme
Një person është arrestuar pas incidentit me thikë që ndodhi mbrëmjen e sotme në Mitrovica e Veriut, ndërsa rasti tashmë po trajtohet si vrasje në tentativë.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëvendësdrejtori i Policia e Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, policia është njoftuar nga spitali për një person të plagosur me mjet të mprehtë.
“Sonte rreth orës 21:20 jemi njoftuar nga spitali në Mitrovicën e Veriut se është pranuar një person P.I., i lindur në vitin 1984, me plagë të shkaktuara nga mjet i mprehtë (sipas të gjitha gjasave thikë). Gjendja e tij shëndetësore është stabile”, ka deklaruar Elshani.
Sipas informacioneve fillestare të policisë, në rast dyshohet se janë përfshirë tre persona dhe një veturë.
“Pas kërkimeve, veturën e kemi konfiskuar në një zonë aty afër, ndërsa një person është arrestuar. Rasti po hetohet si vrasje në tentativë”, ka shtuar ai.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë në incident./lajmi.net/