Arrestimet në skandalin me pronën 1.5 milionëshe, reagon komuna e Fushë Kosovës: Nuk do të mbrojmë askënd
Komuna e Fushë Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të 8 shtatorit, duke deklaruar se mbështet çdo hetim të institucioneve të drejtësisë që synon të sqarojë dyshimet për keqpërdorim të pronës publike. Përmes një deklarate drejtuar opinionit, Komuna ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa institucionale ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas saj, kanë lindur dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton lajmi.net. Ky reagim…
Lajme
Komuna e Fushë Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të 8 shtatorit, duke deklaruar se mbështet çdo hetim të institucioneve të drejtësisë që synon të sqarojë dyshimet për keqpërdorim të pronës publike.
Përmes një deklarate drejtuar opinionit, Komuna ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa institucionale ndaj zyrtarëve për të cilët, sipas saj, kanë lindur dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton lajmi.net.
Ky reagim vjen në kohën kur Policia e Kosovës ka zhvilluar veprime lidhur me rastin, ndërsa njëri prej personave të arrestuar raportohet nga mediat se është drejtor në Komunën e Fushë Kosovës.
Komuna nuk ka bërë të ditur detaje të tjera për personat ndaj të cilëve janë ndërmarrë masat, duke theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë përgjegjësinë e askujt përpara përfundimit të hetimeve.
Në deklaratë, institucionet e drejtësisë ftohen që ta trajtojnë rastin deri në zbardhjen e plotë të pretendimeve.
“Ne nuk do të mbrojmë askënd dhe nuk do të tolerojmë keqpërdorimin e pasurisë publike, pavarësisht se kush mund të jetë i përfshirë”, thuhet në reagimin e Komunës.
Sipas Komunës së Fushë Kosovës, çështja e pronës publike është veçanërisht e rëndësishme për një komunë që është përballur me rritje të shpejtë të popullsisë dhe nevojë gjithnjë e më të madhe për hapësira publike.
Në këtë kuadër, Komuna thotë se ndër vite ka pasur dëme të shkaktuara nga keqpërdorimi apo tjetërsimi i pronës publike, ndërsa hapësirat në pronësi të komunës janë të domosdoshme për ndërtimin e shkollave, çerdheve, parqeve dhe objekteve të tjera në shërbim të qytetarëve.
Institucioni lokal ka deklaruar gjithashtu se do të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe organet e tjera kompetente gjatë procesit hetimor.
“Prona publike është e qytetarëve. Ajo nuk është për t’u keqpërdorur — është për t’u shërbyer qytetarëve”, përfundon deklarata e Komunës së Fushë Kosovës./lajmi.net/