Faza vendimtare brenda 4 ditëve – President apo zgjedhje të reja?
Kosova po hy në një fazë sa sfiduese, edhe vendimtare. Derisa tik-taku i orëve të numëruara po bëhet gjithnjë e më i ashpër, në publik nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja. Më saktësisht nga sot kanë mbetur edhe katër ditë që partitë politike t’i japin zgjidhje çështjes së presidentit të Kosovës. Më saktësisht…
Lajme
Kosova po hy në një fazë sa sfiduese, edhe vendimtare.
Derisa tik-taku i orëve të numëruara po bëhet gjithnjë e më i ashpër, në publik nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja.
Më saktësisht nga sot kanë mbetur edhe katër ditë që partitë politike t’i japin zgjidhje çështjes së presidentit të Kosovës.
Më saktësisht nëse deputetët e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës nuk arrijnë të zgjedhin presidentin apo presidenten e re deri më 6 tetor, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe jo për Kuvend apo Qeveri, por për Presidencë.
Derisa ditët po numërohen së fundi nuk ka pasur ndonjë takim të rëndësishëm në mes liderëve të partive politike mbi këtë çështje.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi dje se takimet mund të nisin që prej dje, por një i tillë nuk është mbajtur.
Kurti ka thënë se komunikimet me opozitën do të fillojnë menjëherë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte në vizitë në Kosovë.
“Posa të përfundojmë me takimin që kemi sot me presidenten e Komisionit Evropian, zonjën Ursula von der Leyen, menjëherë do të fillojmë komunikimet për takime me krerët e opozitës, në mënyrë që të mos jemi pa Kuvend më 7 tetor, por më së largu deri më 6 tetor ta kemi presidentin apo presidenten e re”, ka thënë Kurti.
Ngjashëm deklaroi edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza.
Ai gjatë protestës së djeshme gjithëpopullore tha se mund të takohen me Kurtin për këtë çështje, si dhe për kërkesën e PDK-së që të miratohet Ligji për Specialen.
Por një takim i tillë në mes Kurtit dhe Hamzës, apo Kurtit dhe Abdixhikut nuk është zhvilluar ende ose së paku nuk është bërë i ditur për publikun.
E kundër këtyre takimeve është kreu i Aleancës, Ardian Gjini.
Ai që në fillim ka deklaruar se nuk takohen me Kurtin dhe se nuk i besojnë lojërave që bën ai në politikë.
Javën e shkuar, Gjykata Kushtetuese vendosi që afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Vendimin e arsyetoi duke konstatuar se Kuvendi u konstituua përtej afatit kushtetues 30 ditor, dhe se ky afat ka nisur ta rrjedhë afatin 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.
Partia Demokratike, si e dyta më e madhja në Parlament, ka thënë se tani është e gatshme të diskutojë për president, me kushtin që në Kuvend të miratohet ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.
PDK-ja pati refuzuar takimet me Vetëvendosjen para verdiktit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo parti pati çuar në Kushtetuese edhe çështjen e konstituimit dhe formimit të Qeverisë, por që ky institucion i cilësoi si jo antikushtetuese.
PDK-ja ka kërkuar që Kuvendi të ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale, duke ia kufizuar mandatin, pas dënimit të Hashim Thaçit e Jakup Krasniqit me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselit me 18 e Rexhep Selimit me 13. Ata u dënuan për krime lufte. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.
I vetmi subjekt që pati takime me Kurtin qe Lidhja Demokratike e Kosovës. Madje kjo parti pati edhe marrëveshje me Kurtin për emrin e Bekim Sejdiut për president. Por gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër dhe u rrezikua numri prej 80 deputetësh, aq sa duhet për të zgjedhur presidentin në dy rundet e para. Sejdiu më pas u tërhoq nga kandidimi. Pas 16 shtatorit, nuk është raportuar për takime mes LDK-së e VV-së.
Në rsat të mos zgjedhjes së presidentit deri më 6 tetor në mes të Kushtetutës së Kosovës, vendi do të shkojë në zgjedhje më së largu më 15 nëntor.
Dy datat e përmendura për zgjedhje ishin 8 dhe 15 nëntori, e jo 27 dhjetori sic pretendohej fillimisht.
Kjo u bë pasi përgjigja e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Kuvendit dhe Qeverisë u dha më herët dhe afati për zgjedhjen e presidentit u ritheksua se është deri më 6 tetor.
E këto zgjedhje do të ishin të katërtat në më pak se dy vjet. Në shkurt vitin e shkuar zgjedhjet ishin të rregullta, ndërsa më vonë në pamundësi të formimit të qeverisë u mbajtën në dhjetor. E në qershor sivjet u bënë për shkak të dështimit të Kuvendit për të zgjedhur president.
Mijëra euro të shpenzuara vetëm në zgjedhje në qeverisjet e fundit kanë bërë që qytetarët të krijojnë edhe një dëshpërim të thellë me politikën e vendit e cila assesi nuk po i jep zgjidhje gjërave./Lajmi.net/