Arineta Mula flet për organizimin dhe risitë e Gërmia Ultra Trail 2021

Diten e diele me 13 qershor do të mbahet gara vrapuese Gërmia Ultra Trail.

Sport

09/06/2021 20:14

Gërmia Ulta Trail do të nis me 13 qershor të dielën ku do të marrin pjesë vrapues nga vendi dhe jashtë, shkruan lajmi.net.

Gara do të jetë e ndarë në dy pjesë, Gërmia Trail me 51 kilometra dhe Bear Trail me 27 kilometra.

Në një intervistë për Lajmi.net, përfaqësuesja e Kosovo Trail Running Association, Arineta Mula shpalosi të gjitha informacionet lidhur me organizimin.

Mula e cilësoi organizimin e garës shumë korrekt dhe profesional, ku përmendi edhe institucionet dhe kompanitë që ndihmuan në organizim. Mula gjithashtu konfirmoi se në këtë ngjarje do të ketë vrapues edhe nga vendet e tjera, si nga Ballkani edhe nga jashtë.

“Në kryeqytetin e Kosovës do të mbahet edicioni i dytë i Gërmia Ultra Trail i organizuar nga Kosovo Trail Running Association, i cili është klubi i parë dhe më i madh sa i përket vrapimit malor. Gara do të jetë e ndarë në dy pjesë, 51 kilometra dhe 27 kilometra dhe regjistrimet kanë qenë të hapura deri më 31 maj”

“Befasia këtë edicion ishte se kishim parashikuar të kemi rreth 200 vrapues dhe në fakt do të jenë diku rreth 363 vrapues në të dyja distancat. Risi ka pasur që vrapuesit nuk janë vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe vendet e tjera. Kjo garë është në terrene të ndryshme dhe nuk do të jetë në asfallt”

“KTA kishte organizuar edhe vrapime të tjera, siç ishte ai i Koshares në 2018 ndërsa vitin e kaluar nuk kemi mundur të organizojmë asgjë shkaku i pandemisë COVID-19. Vlen të ceket se jo rastësisht, KTA-ja ka zgjedhur muajin qershor për këtë organizim shkaku i festave të Prishtinës, falënderoj edhe Komunën e Prishtinës dhe Drejtoritë përkatëse në mbështetjen e tyre në këtë organizim”

“Policia dhe FSK do të përfshihen në organizimin dhe ruajtjen e sigurisë, por do të ketë edhe kompani të ndryshme dhe partnerë të ndryshëm që na kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme. Organizimi është tejet profesional dhe shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë të dielën, në orën 7:00 fillon 51 kilometërshi dhe në orën 8:00 fillon 27 kilometërshi”

“Vlen të cekët se në këtë organizim do të ketë edhe vullnetarë, ne kemi ofruar regjistrim falas për ata që ishin esencialë si psh: Policia e Kosovës, FSK-ja, Punëtorët e Shëndetësisë, ky ka qenë kontributi jonë që kemi dashur ta bëjmë”

“Markimi është bërë i gjithi gjatë pistës, Drejtoria e Shëbimeve Publike na ka ndihmuar shumë, kemi pastruar terrenin nga mbeturinat në mënyrë që të shijohet relievi i bukur siç është Germia. Kjo garë bashkon adhuruesit e vrapit malor dhe për ne është mirë që në Kosovë po organizohen këso lloj organizimesh, përpos të tjerave ne do të kemi edhe dhurata dhe çmime”

“Risia këtë vit është se do të ketë dhurata të ndryshme, do të ketë çmime për vendet e para, do të jenë çantat që do t’i marrin vrapuesit dhe maicat e ndryshme dhe secili do të ketë nga një dhuratë të vogël”./Lajmi.net/