Ambasadori i Finlandës: Asociacioni të trajtohet me seriozitet, BE-ja dha këshilla të mira

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen ka deklaruar se BE-ja ka qenë e përkushtuar dhe ka ofruar mundësitë për të avancuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.   Nissinen thotë se duhet të ketë zgjidhje për çështjen e Asociacionit dhe pret rezultate konkrete.   Madje, ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka ofruar ekspertizën…

Lajme

18/01/2025 13:30

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen ka deklaruar se BE-ja ka qenë e përkushtuar dhe ka ofruar mundësitë për të avancuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

 

Nissinen thotë se duhet të ketë zgjidhje për çështjen e Asociacionit dhe pret rezultate konkrete.

 

Madje, ai tha se komuniteti ndërkombëtar ka ofruar ekspertizën më të mirë, këshillat më të mira ligjore si dhe draft të zgjidhjeve se si të zgjidhet Asociacioni.

“Si thashë BE-ja ka qenë shumë e përkushtuar dhe ka ofruar të gjitha veglat e mundësitë për të avancuar procesin e dialogut, dhe po aq i rëndësishëm është bashkëpunimi që kemi me partnerët amerikanë. Dua të besoj se kjo do të vazhdojë, dhe të gjithë ne kemi të njëjtin qëllim që të zgjedhim problemin dhe të hapim potencialin e plotë. Më me dëshirë do të shikoj këtë si një dedikim i përbashkët se gatishmëria politike këtu në rajon është elementi kyç në zgjidhje”, u shpreh ai.

 

“Mendoj që është një obligim i qartë, i thënë qartë në marrëveshje. Kjo është diçka që komuniteti ndërkombëtar ka inkurajuar, dhe mendoj se është një çështje që duhet të diskutohet në Bruksel me lidershipin e ri, dhe që ata do të gjejnë një rrugë si të lëvizin para. Por është e qartë nga fakti se të gjitha pjesët e shoqërisë kanë mundësitë të jenë pjesë e shtetit multi-etnik të Kosovës. Kjo është pika fillestare dhe mendojnë se sa më parë që mund të gjejmë zgjidhje për çështje si Asociacioni, mund të lëvizim para. Siç e përmendët ju, shumë vite kanë kaluar dhe personalisht unë pres rezultatet konkrete që të mund të shohim ato elemente pozitive që Kosova meriton.  Këto janë gjërat që të gjithë ne duam t`i shohim. Komuniteti ndërkombëtar ka ofruar ekspertizën më të mirë, këshillat më të mira ligjore, drafte të zgjidhjeve se si të zgjidhet kjo puna e Asociacionit. Besoj se elementet janë aty dhe tash është çështje e shtyrjes së gjërave para, dhe shpresoj që këto të bëhen sa më shpejt, sa më herët aq më mirë”, ka deklaruar Nissinen për Tëvë1.