Policia ndalon dy persona në Zubin Potok, u gjen katër armë zjarri në veturë përfshirë një kallashnikov
Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në fshatin Gazivod të Zubin Potokut, pasi gjatë kontrollit të një automjeti janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri. Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Zubin Potok kanë ndaluar për kontroll rutinor një…
Lajme
Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona në fshatin Gazivod të Zubin Potokut, pasi gjatë kontrollit të një automjeti janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 16:15, kur zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Zubin Potok kanë ndaluar për kontroll rutinor një veturë me targa vendore.
Vetura drejtohej nga një person i lindur në vitin 1993, ndërsa pasagjer ishte një person i lindur në vitin 1973.
Gjatë kontaktit me policinë, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se posedonte armë, të cilat, sipas tij, i kishte gjetur në një thes, disa metra larg vendit ku ishte ndaluar vetura.
Pas arrestimit të dy personave dhe kontrollit të automjetit, policia ka gjetur dhe sekuestruar gjithsej katër armë zjarri: një AK-47 dhe tri armë të llojit M-48.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar edhe kontrollin në adresat e banimit të dy të dyshuarve në Mitrovicë të Jugut. Gjatë këtyre kontrolleve nuk është gjetur ndonjë send i kundërligjshëm.
Me urdhër të prokurorit, të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në fund, Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që, nëse hasin në armë apo mjete të tjera të kundërligjshme, të mos i prekin ato, por ta njoftojnë Policinë përmes numrit emergjent 192. /Lajmi.net/