Ambasadorët e Gjermanisë dhe Britanisë: Kosova është mrekulli e vogël, ka ecë kaq larg, Qeveria dhe presidenti të zgjidhen përmes bashkëpunimit
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph kanë folur për zgjedhjet në Kosovë që u mbajtën të dielën që shkoi dhe pritshmëritë pas tyre. Hargreaves u shpreh se duhet pranuar që Kosova tashmë ka fituar shumë përvojë në organizimin e zgjedhjeve, teksa u shpreh i…
Lajme
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph kanë folur për zgjedhjet në Kosovë që u mbajtën të dielën që shkoi dhe pritshmëritë pas tyre.
Hargreaves u shpreh se duhet pranuar që Kosova tashmë ka fituar shumë përvojë në organizimin e zgjedhjeve, teksa u shpreh i gëzuar se sistemi softuerik i KQZ-së funksionoi “në mënyrë të përkryer”.
“Le ta pranojmë, Kosova tashmë ka fituar shumë përvojë në organizimin e zgjedhjeve. Ka pasur mjaft kohë për t’u ushtruar dhe, nga ajo që pashë unë, kjo përvojë po jep rezultate, ndërsa disa procedura po përmirësohen vazhdimisht. Gjithashtu u gëzova shumë kur u ulëm për të ndjekur rezultatet në televizion dhe pamë se sistemi softuerik i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve funksionoi në mënyrë të përkryer. Jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin që Mbretëria e Bashkuar ka pasur me KQZ-në në këtë drejtim, sepse që nga shkurti është bërë shumë punë e vështirë dhe mendoj se kjo ka rritur ndjeshëm besimin në procesin zgjedhor”, tha Hargreaves.
Ndërsa, ambasadori gjerman Rudolph, tregoi se vizitoi disa qendra votimi në Graçanicë dhe rreth saj, ku tha se gjithçka ishte qetë dhe shumë profesionale, teksa shtoi se shpreson që zgjedhjet në Kosovë të mbahen një herë në katër vjet, njëjtë sikur Kampionati Botëror.
“Kam pasur përshtypje shumë të ngjashme. Siç thatë, vizitova disa qendra votimi në Graçanicë dhe rreth saj. Gjithçka ishte e qetë dhe shumë profesionale. Siç tha Jonathan, kishte shumë rutinë dhe është mirë të shohësh këtë proces duke funksionuar. Një fushatë zgjedhore mund të jetë emocionuese, por dita e zgjedhjeve duhet të jetë thjesht rutinë dhe e qetë, jo emocionuese. Por meqë e quajtët ‘Kupa e Kosovës’, shpresa ime personale është që kjo kupë, ashtu si Kampionati Botëror, të mbahet vetëm një herë në katër vjet. Nuk kam garanci për këtë, por do ta shohim”, tha Rudolph .
Për pritshmëritë pas zgjedhjeve, Rudolph tha se për të pasur institucione stabile, nuk mjafton vetëm formimi i qeverisë, por duhet edhe zgjidhja e presidentit, gjë për të cilën tha se shpreson që të shohë bashkëpunim të gjerë ndërmjet klasës politike.
“Siç e dimë, për të pasur institucione stabile nuk mjafton vetëm formimi i qeverisë; duhet të zgjidhet edhe presidenti. Për këtë do të nevojitet bashkëpunim i gjerë ndërmjet klasës politike dhe shpresoj shumë që ta shohim këtë. Kjo do ta çojë vendin përpara dhe do të na mundësojë të punojmë më ngushtë së bashku për avancimin e agjendës sonë të përbashkët me Kosovën”, tha Rudolph.
Kurse, ambasadori britanik tha se Kosova ka nevojë të ecë përpara, të ketë parlament, qeveri dhe presidencë funksionale, që të mund të përballet me sfidat globale dhe çështjet e brendshme që qytetarët e Kosovës meritojnë t’i shohin të adresuara, e kjo gjë, siç u shpreh Hargreaves, është në duart e politikanëve.
“Mendoj se kjo është në duart e tyre. Kosova ka një kushtetutë shumë të mirë dhe të fortë. Ajo është hartuar qëllimisht për të nxitur partitë të punojnë së bashku. Nuk është konceptuar si një situatë ku njëra palë fiton dhe tjetra humb, por si një sistem që inkurajon zgjidhje fitim-fitim mes aktorëve të ndryshëm politikë. Prandaj baza ekziston. Tani u takon politikanëve, siç tha kolegu im, të punojnë së bashku dhe ta bëjnë këtë sistem të funksionojë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos gjejnë një mënyrë për ta arritur këtë. Unë do t’i inkurajoja fuqishëm që ta bëjnë, sepse pas pothuajse dy vitesh pritjeje për qartësi politike, vendi ka nevojë të ecë përpara, të ketë parlament, qeveri dhe president funksional, që të mund të përballet me sfidat globale dhe me çështjet e brendshme që qytetarët e Kosovës meritojnë të shohin të adresuara”, tha Hargreaves.
Duke e komentuar këtë deklaratë të lideri të VV-së, ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves dhe ai gjerman, Rainer Rudolph, kanë vlerësuar se Kosova në këto 27 vite të çlirimit ka përjetuar zhvillim të jashtëzakonshëm.
Ata kanë bërë me dije se historia e Kosovës mund të konsiderohet si mrekulli e vogël.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, është shprehur optimist së zhvillimi i Kosovës do të vazhdojë.
“Historia e Kosovës gjatë 25 apo 27 viteve të fundit është e jashtëzakonshme. Nesër do të shënojmë përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për t’i dhënë fund një situate të tmerrshme humanitare. Mendoj se është pothuajse një mrekulli e vogël që Kosova ka arritur të ecë kaq larg dhe kaq shpejt gjatë kësaj periudhe. Shpresa ime e vetme është që ky zhvillim të vazhdojë në të njëjtën trajektore. Dhe ne jemi këtu si miq për ta mbështetur këtë”, ka thënë Hargreaves për KosovaPress.
As ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, nuk mendon si Kurti.
Ai ka thënë se “gota e Kosovës është katër të pestat e mbushur.
“Unë erdha për herë të parë këtu në vitin 2001 dhe vendi është krejtësisht ndryshe nga ai që pashë atëherë. Njerëzit që e kanë jetuar gjithë këtë periudhë ndoshta nuk e kuptojnë gjithmonë sa larg ka arritur Kosova dhe sa shumë ka përparuar. Kjo është një arritje e madhe. Ne jemi këtu si miq të Kosovës për të punuar së bashku që ky ritëm dhe ky momentum të vazhdojnë. Ne kemi nevojë për Kosovën si pjesë të grupit tonë të aleatëve dhe miqve në arenën ndërkombëtare dhe kjo është ajo që po përpiqemi të mbështesim.”, ka thënë diplomati gjerman.
Para zgjedhjeve të 7 qershorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte çuditur me disa pretendime.
Në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ai kishte vlerësuar se shtetin e Kosovës e kishte marrë në gjendje të keqe.
Duke përdorur metafora, ai kishte thënë se kur kishte ardhur në pushtet Kosova ishte “një bodrum me ujë”.
“Ama ne e kemi gjetur Kosovën në bodrum, qetash është në kat të parë, ti po thua pse nuk është në kat të tretë. Në bodrum e kam marrë. Veç diçka, në bodrum veç gjysë metri ujë aty, a e kupton?”, ka thënë Kurti.
Kur e kishte pyetur gazetari se mos qeveria e tij po e mbush edhe më shumë me ujë, Kurti ishte nervozuar, duke thënë se kjo është një aktakuzë.
“Nuk jemi duke e mbushur ujë. Absolutisht. Kjo është aktakuzë. Kjo akuzë nuk është fer”, kishte thënë Kurti.