Alves: Dua ta qëndroj në Barcelonë

Dani Alves është i vendosur të qëndrojë në Barcelonë. Mirëpo, mbrojtësi brazilian është i vetëdijshëm se nuk varet gjithçka prej tij për të ardhmen në gjigantin katalunas.

Sport

15/07/2014 17:57

Dani Alves e ka konfirmuar dëshirën e tij për të qëndruar në Barcelonë, duke e respektuar kontratën deri në fund, për t’i hequr dyshimet rreth së ardhmes.

31 vjeçari është i vendosur për ta rikthyer gëzimin në fytyrën e tij, pas një sezoni dështues që e pati me gjigantin katalunas, me të cilin nuk arriti të fitonte asgjë.

“Dua ta kryej kontratën që e kam nënshkruar. Jam mjaft i lumtur në këtë klub. I kisha disa vite të mrekullueshëm këtu, të fundit jo dhe aq, por dua ta ndihmoj ekipin që ta shijojmë gëzimin prapë”, deklaroi Alves për të përditshmen spanjolle Marca.

“Kur të kthehem në Barcelonë, do të flas me njerëzit e klubit dhe ta shohim se çka duan ata. Nëse duan që të largohem, do ta kërkoj ekipin e ri. Nëse duan të rri, do të vazhdoj”, vijoi ai.

“Kam kontratë me Barcelonën dhe gjithmonë kam dhënë gjithçka për këtë klub, përkundër rezultateve në vitet e fundit. Dua të rri, por nuk varet nga unë”, përfundoi ai.