Alli: Eksperienca në Kupën e Botës ndihmë për ecurinë e mirë në Ligën e Kampionëve

Mesfushori i Tottenham Hotspur ka zbuluar se çka e ndihmoi skuadrën e tij për ecurinë e mirë në Ligën e Kampionëve.

Sport

21/04/2019 13:00

Spurs kishin nëntë lojtarë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës në Rusi gjatë verës së kaluar, gjë që sipas Dele Alli i ka ndihmuar shumë skuadrës këtë edicion.

Mesfushori beson se ëndrra e Tottenham për Ligën e Kampionëve është edhe si pasojë e eksperiencës së fituar në Rusi.

Spurs arritën që ta eliminojnë skuadrën e Manchester City në fazën çerekfinale me ndihmën e VAR si dhe falë golit të shënuar si mysafirë.

“Mendoj se çfarë ndodhi në Kupën e Botës na ndihmoi shumë si skuadër” ka thënë fillimisht Alli, transmeton lajmi.net.

“Ne fituam shumë eksperiencë nga ai turne, në situata të ndryshme, duke fituar dhe humbur. Me atë eksperiencë, ne kemi filluar të tregojmë se po mësojmë dhe këtë e shfaqëm në Ligën e Kampionëve” ka thënë tutje mesfushori anglez.

“Ne po përmirësohemi në secilin sezon, si në Premierligë ashtu edhe në Ligën e Kampionëve. Ne jemi në drejtimin e duhur dhe duhet të vazhdojmë kështu” ka thënë ndër të tjerash Dele.

Kanë kaluar tashmë 11 vite që kur Totetnham së fundmi kanë fituar një trofe. Alli është optimist se skuadra së shpejti do ta ketë një në sirtar. /Lajmi.net/