Akuza për keqpërdorime të milionave, Juventusi mund të zbresë sërish në Serie B dhe t’i hiqet Scudetto e fundit

Shoqata italiane për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, 'CODACONS', pretendon se Juventusi "mund të zbresë në Serie B dhe t'i hiqet Scudetto-ja e fundit" për shkak të rastit të fitimeve kapitale.

Sport

29/11/2021 12:24

‘CODACONS’ është i lidhur me ‘CONI’, Shoqatën Olimpike Italiane, dhe presidenti i saj Marco Donzelli foli për hetimin mbi biznesin e fitimeve kapitale të Juventusit.

Juventusi akuzohet për kontabilitet të rremë dhe Donzelli zbuloi se Bianconerët mund të sanksionohen me rënie në Serinë B dhe revokimin e titujve të fituar “nën hijen e këtyre operacioneve potencialisht të paligjshme”.

“Sistemi akuzues është shumë serioz dhe hedh një dritë të keqe mbi kampionatet e fundit të futbollit, edhe sepse ka pasur një dominim të vërtetë të Juventusit në vitet e fundit, i cili përfundoi vitin e kaluar”, tha Donzelli, sipas TMW.

“Nëse Juventusi do të kishte fituar në mënyrë të paligjshme një avantazh ndaj klubeve rivale me operacione të këtij lloji, atëherë rregullsia e kampionateve të fundit të futbollit do të dështonte dhe, si pasojë, Federata dhe Autoriteti për konkurrencën e tregut do të duhet të ndërhyjnë dhe të sanksionojnë ato përgjegjëse.

“Përtej përgjegjësive individuale, klubi nuk do të përjashtohet nga ndëshkimi. Për këtë arsye dhe për të mbrojtur mijëra tifozë, ne do të paraqesim një ankesë në Antitrust dhe Prokurorinë Federale duke kërkuar rënien në Serie B për Juventusin dhe heqjen e titujve të fundit të ligës të fituara nën hijen e këtyre operacioneve potencialisht të paligjshme”, ka përfunduar Donzelli. /Lajmi.net/