​Stadiumet nën dritën e reflektorëve, si ndikojnë ndeshjet te tifozët dhe futbollistët?

Futbolli kosovar po zhvillon ndeshje edhe nën dritën e reflektorëve, pas instalimit të sistemeve të reja në disa stadiume. Projekti i Federatës së Futbollit të Kosovës “Ndriçojmë Futbollin” deri tani është shtrirë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Stadiumin e Qytetit në Gjilan dhe stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj. Ndeshjet e zhvilluara në mbrëmje kanë…

Sport

11/10/2026 10:52

Futbolli kosovar po zhvillon ndeshje edhe nën dritën e reflektorëve, pas instalimit të sistemeve të reja në disa stadiume. Projekti i Federatës së Futbollit të Kosovës “Ndriçojmë Futbollin” deri tani është shtrirë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Stadiumin e Qytetit në Gjilan dhe stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Ndeshjet e zhvilluara në mbrëmje kanë ndryshuar edhe orarin e përballjeve, ndërsa klubet kanë vënë në pah ndikimin e tyre te futbollistët dhe tifozët.

Në rastin e Drenicës, presidenti i klubit Halim Bajraktari ka treguar se ndeshjet e zhvilluara nën reflektorë kanë sjellë edhe rritje të numrit të tifozëve në stadium krahasuar me ndeshjet e mëparshme.

“Po, të them të drejtën, numri i tifozëve ka qenë shumë, dyfish më i madh se herët tjera. Arsyeja pse është më i madh, kjo të kuptohet, është se nëse nuk është ditë pune, të gjithë ata që janë në punë, vijnë në kohën pasdite. Nëse janë temperatura shumë të larta, kjo ndikon shumë pozitivisht, pasi tifozët vijnë në mbrëmje, e kanë freskët, është tjetër atmosferë. Kemi pasur dyfishin (e tifozëve). Ne gjithherë kemi pasur shikues 500-700, kësaj radhe kanë qenë përmbi 1500 tifozë. Domethënë është dyfishi më i madh se herëve tjera”, tha ai.

Menaxheri i ekipit të Gjilanit, Drilon Sylejmani, thotë se përtej numrit të tifozëve, zhvillimi i ndeshjeve në mbrëmje shihet si një mundësi për përmirësimin e kushteve për futbollistët.

“Gjë që është më e rëndësishme është edhe aspekti sportiv. Pasi që ne luajmë në një fushë sintetike dhe temperatura të larta, terminët e caktuar kohorë kanë sjellë vazhdimisht shqetësime te futbollistët. Ndërkohë tani që ndeshjet janë zhvilluar në mbrëmje, ka qenë pak më mirë për futbollistët dhe ndoshta performanca e tyre ka qenë në nivele pak më të larta”, tha Sylejmani.

Edhe trajneri dhe analisti i njohur i futbollit kosovar, Bylbyl Sokoli, e sheh ndriçimin e stadiumeve si një hap pozitiv.

“Unë mendoj që ndriçimi ka sjellë një disponim të mirë te tifozët, futbollistët, sepse ndriçimi nuk ndikon vetëm te tifozët, por ndikon edhe te futbollistët, sepse ndryshe është një ndeshje e zhvilluar në 20 gradë, ndryshe është në 35 gradë. Këto janë probleme që duhet pasur parasysh, andaj duhet të kemi edhe ngritje të cilësisë. Sido që të jetë, është lëvizje e mirë ndriçimi i stadiumeve’, tha Sokoli.

Për sa i përket përcaktimit të orarit të ndeshjeve, menaxheri i ekipit të Gjilanit, Drilon Sylejmani, ka bërë të ditur se ky vendim merret në bashkëpunim me FFK-në dhe transmetuesin e ndeshjeve.

“Klubi në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, si dhe me transmetuesin e ndeshjeve”, tha Sylejmani.

Krahas Klinës, Gjilanit dhe Skenderajt, edhe Klubi i Futbollit të Ferizajt tashmë ka përfituar nga instalimi i reflektorëve.