“Aksion i planifikuar prej muajsh, në bashkëpunim me struktura të larta të MPB-së të Serbisë” – Hollësi nga aktakuza ndaj 35 të dyshuarve për vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë marsit të vitit 1998 në lagjen Jasharaj të fshatit Prekaz i Poshtëm, në Skenderaj. “Provat e siguruara kanë vërtetuar se në këtë sulm janë…
Lajme
Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë ndaj 35 ish-zyrtarëve dhe komandantëve të lartë serbë nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë marsit të vitit 1998 në lagjen Jasharaj të fshatit Prekaz i Poshtëm, në Skenderaj.
“Provat e siguruara kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra dhe të moshuar”, tha prokurori Valdet Gashi.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, tha se është konstatuar ngjarjet në Prekaz në mars të vitit 1998 ndodhën “me paramendim” dhe “me përgatitje paraprake.
Prokuroria pretendon se sulmi ndaj lagjes Jasharaj nuk ishte thjesht një përleshje e rastësishme ushtarake, por një operacion i planifikuar dhe i bashkërenduar, gjatë të cilit u sulmua një zonë me civilë, u vranë civilë, u torturuan dhe morën peng të tjerë dhe u shkatërruan prona civile.
Gjatë këtij sulmi, forcat speciale policore serbe, edhe pse kishin qenë në dijeni për prezencën e civilëve në shtëpitë e tyre, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, nuk kishin kursyer asgjë dhe si pasojë kishin vrarë 26 persona civilë, të cilët në momentin e vrasjes në asnjë formë nuk po merrnin pjesë në armiqësi dhe nuk ishin të armatosur, tha Prokuroria.
Rrjedhimisht Forcat Speciale Policore Serbe edhe përkundër se kishin qenë në dijeni për rregullat për mbrojtjen e civilëve, kishin vepruar në shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare e cila përcakton rregulla të qarta për mbrojtjen e civilëve gjatë konflikteve të armatosura.
Aktakuza i ndan 35 të pandehurit në dy grupe. Grupi i parë, i përbërë nga 29 të dyshuar, akuzohet se në bashkëkryerje planifikoi, organizoi, urdhëroi dhe drejtoi sulmin, duke shkaktuar, vrasje, tortura, marrje peng dhe shkatërrim të objekteve civile.
Gjashtë të pandehurit e tjerë: Dragan Zhivanoviq, Obrad Stevanoviq, Lubinko Cvetiq, Branko Gjuriq, Ilija Trajkoviq dhe Millenko Bozhoviq, akuzohen se kishin autoritet dhe kontroll të plotë mbi forcat dhe se, megjithëse kishin dijeni ose arsye të mjaftueshme për të ditur për krimet, nuk ndërmorën masa për t’i parandaluar, penguar ose ndëshkuar ato.
Sipas Prokurorisë Speciale, të gjithë 35 të dyshuarit për vrasjen e civilëve në Prekaz janë të gjallë dhe ndodhen në arrati.
Më 5, 6 dhe 7 mars, forcat serbe vranë më shumë se 50 persona gjatë sulmit në Prekaz ndaj familjes së heroit të Kosovës, Adem Jashari, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokurori Gashi tha se viktimat civile ishin banorë të lagjes së Jasharëve, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë vetëm për viktima nga familja e ngushtë e Shaban Jasharit.
Ai po ashtu sqaroi se numri i viktimave civile është 26, pasi në të nuk janë përfshirë personat që kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Hollësi nga aktakuza
Aktakuza, të cilën e ka parë REL e përshkruan në hollësi mënyrën se si forcat speciale policore serbe, në bashkëpunim me struktura të larta të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, planifikuan, organizuan dhe zbatuan operacionin në Prekaz më 1998, i cili, rezultoi me vrasjen e civilëve, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, marrjen peng dhe keqtrajtimin e tyre, si dhe shkatërrimin e shtëpive dhe infrastrukturës civile.
Sipas aktakuzës, ngjarjet e marsit 1998 nuk ishin pasojë i një përleshjeje të rastësishme, por një aksion i planifikuar prej muajsh, i bashkërenduar nga struktura të ndryshme të forcave serbe dhe i zbatuar nga njësi speciale të pajisura me armatim të rëndë.
Lagja Jasharaj dhe fshati Prekaz i Poshtëm u vunë nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm të forcave serbe, thuhet në aktakuzë. Forcat serbe vendosën kamera në rezervuarin e ujit të Fabrikës së Municionit në Skenderaj, një strukturë rreth 50 metra e lartë, nga ku regjistrohej lëvizja e banorëve.
Vëzhgimin, sipas Prokurorisë, e udhëhiqte Njësia për Operacione Speciale, e komanduar nga Millorad Ulemek, i njohur me nofkën “Legia”, i cili, sipas aktakuzës, ishte personalisht i pranishëm në kompleksin e fabrikës. Në këtë vëzhgim ishte përfshirë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga Çedomir Bozhoviq.
Pasi kishin mbledhur të dhëna, sipas aktakuzës, më 3 mars 1998 nisi përforcimi i kapaciteteve. Në Fabrikën e Municionit u dislokuan pjesëtarë shtesë të Njësisë për Operacione Speciale, Njësive Speciale Antiterroriste dhe Njësisë së Posaçme të Policisë, si dhe armatim i rëndë.
Pastaj, më 4 mars, në ndërtesën e quajtur “Villa”, brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit, sipas aktakuzës u formua Shtabi Operativ për kryerjen e sulmit. Operacioni u udhëhoq nga Goran Radosavleviq, i njohur me nofkën “Guri”, sipas aktakuzës.
Në përbërje të shtabit, sipas aktakuzës, ishin Zhivko Trajkoviq, komandant i të gjitha Njësive Speciale Antiterroriste, Zoran Simoviq, komandant i njësisë së Beogradit, Branko Çurçiq, komandant i njësisë së Novi Sadit, dhe Radisllav Staleviq, komandant i njësisë së Prishtinës.
Sipas aktakuzës, në këtë shtab u përcaktuan detyrat konkrete për njësitë që do të merrnin pjesë në operacion.
Më 5 mars 1998, rreth orës 06:00, forcat speciale policore serbe nisën sulmin e armatosur ndaj lagjes Jasharaj. Sulmi filloi nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe vazhdoi nga pozicionet e tjera të rrethimit, sipas aktakuzës.
Sipas Prokurorisë, në sulm u përdor armatim i rëndë, përfshirë armë kundërajrore, mjete të blinduara dhe tanke, të drejtuara edhe ndaj objekteve ku ndodheshin civilë. Pas fillimit të sulmit, një numër i kufizuar pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të armatosur me armë të lehta, bënë rezistencë.
Në ditën e parë të sulmit, sipas aktakuzës, Njësitë Speciale Policore intensifikuan granatimin me artileri dhe mjete të rënda ndaj shtëpisë së Halit Jasharit, të cilën Prokuroria e cilëson si objekt civil.
Sipas saj, në kuzhinën e shtëpisë u vranë Blerim Jashari, 5 vjeç, Bujar Jashari, 10 vjeç, Avdullah Jashari, 15 vjeç, Hanife Jashari, 17 vjeçe, si dhe Bahtije Jashari, Sabrije Jashari, Elheme Jashari dhe Mihrije Jashari.
Po atë ditë, sipas aktakuzës, u godit edhe shtëpia e Hamit Jasharit, ku u vranë Smajl Bazaj dhe Fatime Bazaj, të cilët ndodheshin aty si mysafirë. Gjatë datave 5 dhe 6 mars, sipas dokumentit, u vra edhe e moshuara Hamide Jashari, e cila ndodhej në shtëpinë e saj.
Ndërsa, më 6 mars, sipas aktakuzës, forcat serbe vazhduan granatimin ndaj shtëpive të Sadik dhe Qerim Jasharit. Shtëpitë fillimisht u përfshinë nga flakët dhe më pas u rrënuan.
Në shtëpinë e Sadik Jasharit, sipas Prokurorisë, u vranë Afie Jashari, Elfie Jashari dhe Fatime Jashari, trupat e të cilave, sipas dokumentit, mbeten të zhdukura. Në shtëpinë e Qerim Jasharit u vra Hajrije Jashari.
Më 7 mars, sipas aktakuzës, sulmet ndaj shtëpive të Shaban Jasharit u intensifikuan me përdorimin e tankeve. Sipas dokumentit, predha e parë depërtoi në murin e dhomës ku ishin strehuar anëtarët e familjes dhe vrau Igballe Jashari 12 vjeçe, Valdete Jashari 14 vjeçe, Igball Jashari 14 vjeç, Lirije Jashari 14 vjeçe, Afete Jashari 17 vjeçe, dhe Selvete Jashari.
Në këtë sulm u plagosën rëndë Blerina Jashari, Fatime Jashari, Kushtrim Jashari, Blerim Jashari dhe Hidajete Jashari. Pas një kohe të shkurtër, sipas aktakuzës, u shkrep një predhë e dytë e tankut, e cila shkaktoi vdekjen e Fatime Jasharit 8 vjeçe, dhe Blerim Jasharit 12 vjeç.
Më pas, sipas dokumentit, dy pjesëtarë të forcave speciale iu afruan dhomës, hodhën granata dore brenda saj dhe hapën zjarr me armë automatike, duke i vrarë Blerina Jasharin 7 vjeçe, Kushtrim Jasharin 13 vjeç, dhe Hidajete Jasharin.
Besarta Jashari, sipas Prokurorisë, ishte e vetmja e mbijetuar në atë pjesë të shtëpisë. Ajo u kap nga forcat serbe, u mbajt në kompleksin e Fabrikës së Municionit dhe iu nënshtrua keqtrajtimit psikologjik deri në mbrëmje, thuhet në aktakuzë.
Aktakuza përshkruan edhe raste të marrjes peng dhe keqtrajtimit të civilëve gjatë sulmit. Më 5 mars, në orët e hershme, sipas dokumentit, u kapën Milazim Jashari dhe Muhamet Jashari. Ata u dërguan në stacionin policor të Skenderajt, ku, sipas Prokurorisë, u mbajtën për tri ditë dhe iu nënshtruan torturës fizike dhe psikologjike.
Më 7 mars, rreth orës 10:00, sipas aktakuzës, nga shtëpia e Sefer Jasharit u kapën 16 civilë, mes tyre një foshnjë dymuajshe dhe fëmijë të moshave të ndryshme. Ata u dërguan në oborrin e Fabrikës së Municionit, ku, sipas dokumentit, u privuan nga ushqimi dhe uji, u ekspozuan ndaj temperaturave të ulëta dhe u kërcënuan vazhdimisht me vrasje deri në mbrëmje.
Po atë ditë, sipas aktakuzës, u kapën edhe Arif Jashari 10 vjeç, Naser Jashari, Bekim Jashari dhe Maliq Jashari. Sipas Prokurorisë, ata u rrahën dhe u keqtrajtuan, ndërsa disa prej tyre u transferuan në stacionet policore të Skenderajt dhe Mitrovicës, ku maltretimi, sipas dokumentit, vazhdoi deri në mesnatë.
Gjatë tri ditëve të sulmit, sipas aktakuzës, forcat serbe shkatërruan dhe dëmtuan në masë të gjerë shtëpitë, objektet dhe infrastrukturën civile të lagjes Jasharaj.
Prokuroria konstaton se objektet e shkatërruara nuk përbënin objektiva ushtarake. Sipas aktakuzës, granatimet me artileri, minahedhës, tanke dhe armë kundërajrore u pasuan me djegien e shtëpive, edhe kur brenda tyre ndodheshin civilë.
Prokuroria Speciale viteve të fundit ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte kundër popullatës civile më 1998/99. Disa raste janë në gjykim dhe disa kanë marrë edhe epilog gjyqësor.
Më herët, ky institucion ka ngritur aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës./Radio Evropa e Lirë/