Aksion i Inspektoratit të Punës në veri, inspektohen punishtet ndërtimore
Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar sot një aksion inspektues në komunat veriore të Kosovës, në kuadër të kontrolleve për zbatimin e kushteve të punës dhe masave të sigurisë në sektorin e ndërtimtarisë, raporton KosovaPress. Sipas inspektoratit, janë evidentuar disa mangësi që lidhen me organizimin e hapësirës së punës, sigurinë dhe dokumentacionin. Një nga inspektimet…
Lajme
Inspektorati Qendror i Punës ka zhvilluar sot një aksion inspektues në komunat veriore të Kosovës, në kuadër të kontrolleve për zbatimin e kushteve të punës dhe masave të sigurisë në sektorin e ndërtimtarisë, raporton KosovaPress. Sipas inspektoratit, janë evidentuar disa mangësi që lidhen me organizimin e hapësirës së punës, sigurinë dhe dokumentacionin.
Një nga inspektimet është realizuar në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicën e Veriut, ku inspektorët kanë verifikuar gjendjen në një punishte ndërtimore dhe respektimin e obligimeve ligjore nga ana e punëdhënësit.
Ushtruesja e detyrës së udhëheqëses së Divizionit të Inspektimeve në Rajonin e Mitrovicës, Laura Mustafa-Berisha, tha se aksioni është pjesë e planit të inspektimeve të përcaktuara nga Ministria dhe se sot fokusi është vendosur në rajonin e Mitrovicës Veriore.
“Në vazhdën e inspektimeve të planifikuara sipas vendimit të Ministrisë dhe në aksionin në ndërtimtari në nivel të Kosovës, sot jemi caktuar në rajonin e Mitrovicës Veriore, ku do të inspektohen disa lokacione, të cilat paraprakisht i kemi verifikuar dhe i kemi të përcaktuara. Përveç këtyre lokacioneve, do të inspektohen edhe vende të tjera nëse gjatë vëzhgimit inspektorët hasin në ndonjë aktivitet”, tha Mustafa-Berisha.
Gjatë kontrollit në vendpunishte në “Kodrën e Minatorëve”, inspektori Fatmir Halili tha se janë evidentuar disa mangësi që lidhen me organizimin e hapësirës së punës, sigurinë dhe dokumentacionin.
“Organizimi i vendpunishtes duhet të jetë më i mirë, kabllot e rrymës, papastërtitë dhe qasja në objekt janë tri vërejtje që ne i japim në këtë rast. Sa u përket çështjeve të tjera, rrethojat po i shohim që janë mirë. Shenjat e rrezikshmërisë, prej momentit kur fillojnë me ngritjen e objektit, aty ku ka rrezikshmëri, është mirë të vendosen, sepse e keni obligim ligjor. Sa i përket dokumentacionit, unë po lë një listë me dokumente. Kam biseduar edhe me përgjegjësin, Bujarin. Ato dokumente brenda tri ditëve i ka afat t’i kompletojë dhe t’i sjellë në Inspektoratin e Punës”, tha Halili.
Gjatë kohës së fundit, në Kosovë kanë ndodhur disa vdekje në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë./kp