Ahmeti kërkon sqarime për masat e reja kundër koronavirusit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar informata paraprake lidhur me masat që do të ndërmerren e të cilat do të hyjnë sonte në fuqi kundër përhapjes së koronavirusit.

Lajme

05/07/2020 15:12

Pas rritjes së dukshme të rasteve të reja në vend me COVID-19, Qeveria Hoti ka vendosur të kthejë masat e lëvizjes në disa qytete të Kosovës, ku numri i të prekurve është më i madh.

“Është përgatitur një plan i veprimit që sot miratohet në Qeveri që specifikon në detaje se cilat veprime do të ndërmarrin veprimet shëndetësore. Në qytetet me numër të madh të të infektuarve si Prishtina, Prizreni, Ferizaj e Vushtrri do të kthehet masa e kufizimit të lëvizjes prej 21:00 deri në 5:00”, ka thënë Hoti.

E Shpend Ahmeti thotë se do të ishte mirë që komunat të informohen paraprakisht para se të dilet në konferencë për masat që hyjnë në fuqi pas 6 orësh.

Hoti ka treguar edhe masat e tjera që do të miratohen sonte në mbledhjen e Qeverisë.

Lexo edhe: 

Kufizohet lëvizja nga ora 21:00 deri në 5:00 të mëngjesit në këto komuna

“Do të kujdesemi që të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje duke riorganizuar komplet klinikën e QKUK-së si dhe në spitalet private. Të blejmë edhe shtatë aparatura shtesë të testimit. Do të krijojmë kapacitete shtesë me personel shëndetësor, duke mobilizuar në nivel vendi edhe ata që nuk janë të punësuar, e në veçanti në infermieri e mikrobiologji”, ka thënë Hoti. /Lajmi.net/