Agon Maliqi: Mllefi i protestës në Shqipëri është legjitim, rrjedh nga ndrydhja e demokracisë
Analisti Agon Maliqi ka reaguar lidhur me protestën në Shqipëri, duke vlerësuar se mllefi i qytetarëve është legjitim dhe se përshkallëzimi i protestës drejt dhunës pasqyron, sipas tij, ngushtimin e hapësirës demokratike dhe krizën e përfaqësimit politik në vend. Në një status në Facebook, Maliqi ka kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe opozitën, duke thënë se…
Lajme
Analisti Agon Maliqi ka reaguar lidhur me protestën në Shqipëri, duke vlerësuar se mllefi i qytetarëve është legjitim dhe se përshkallëzimi i protestës drejt dhunës pasqyron, sipas tij, ngushtimin e hapësirës demokratike dhe krizën e përfaqësimit politik në vend.
Në një status në Facebook, Maliqi ka kritikuar kryeministrin Edi Rama dhe opozitën, duke thënë se shpërfillja e kërkesave të protestuesve paqësorë dhe mungesa e zgjidhjeve politike po kontribuojnë në përshkallëzimin e situatës.
Postimi i plotë:
Mllefi në Shqipëri është legjitim dhe në masën dominuese organik, ndërsa përshkallëzimi i protestës drejt dhunës është simptomë e ndrydhjes së demokracisë nga Rama dhe nga opozita formale me legjitimitet të kontestuar. Kriza e përfaqësimit është bërë problem i patejkalueshëm i cili me këtë ritëm do të çojë pashmangshëm drejt rikonfigurimit të skenës politike.
Duke i shpërfillur kërkesat e protestuesve paqësorë, pushteti ështe ai që duket i interesuar për ta kthyer protestën në revoltë të dhunshme, për ta delegjitimuar atë dhe për t’u paraqitur si garantues i stabilitetit brenda dhe jashtë vendit. Pa ofruar zgjidhje politike, dhe duke i reduktuar motivet e protestës te “duart e errëta të huaja”, Rama është ai që e mban përgjegjësinë për përshkallëzimin e situatës.
Shqipëria e ka një derë të hapur drejt BE-së. Punën kryesore në këtë rrugë po e bën SPAK-u. Protesta me kërkesat e saja për mirëqeverisje duhet të jetë katalizatori politik i këtij procesi historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Si e tillë është jetike që ajo të mos bie në duart e disa forcave të errëta, që mbeten periferike, por që gjithsesi janë prezente me narracione anti-semite, fashiste, homofobe, etj. Disa prej këtyre narracioneve janë tipike për rrymat ekstreme të mbështetura nga fuqitë e huaja jomiqësore dhe oportuniste, që nuk e kanë hallin e shqiptarëve, por janë oportuniste dhe përmes aktorëve proxy dhe algoritmeve të mediave sociale shohin mundësi për destabilizim të një vendi të NATO-s dhe sabotim të rrugës së Shqipërisë drejt BE.
Studentët dhe gjenerata Z janë shumë më të zgjuar se ç’po u japim kredit ne brezat më të vjetër. Ata meritojnë mbështetje dhe jo qasje patronizuese apo ligjerata për atë se si duhet të veprojnë. Sidomos përgjegjësia për krijimin e opsioneve politike nuk mund t’u lihet atyre.