Ademi viziton klubet kosovare në fazën përgatitore në Turqi: Pranvera do të sjellë futboll të fortë dhe rivalitet të bukur

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vazhduar vizitat e tij tek klubet kosovare që po zhvillojnë fazën përgatitore dimërore në Turqi. Gjatë kësaj vizite, ai qëndroi në ambientet ku janë të grumbulluara FC Drita, SC Gjilani, FC Prishtina dhe KF Llapi. Sipas Ademit, këto nuk ishin vetëm vizita formale, por takime…

Sport

23/01/2026 22:39

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vazhduar vizitat e tij tek klubet kosovare që po zhvillojnë fazën përgatitore dimërore në Turqi. Gjatë kësaj vizite, ai qëndroi në ambientet ku janë të grumbulluara FC Drita, SC Gjilani, FC Prishtina dhe KF Llapi.

Sipas Ademit, këto nuk ishin vetëm vizita formale, por takime të frytshme dhe të veçanta, ku u ndje qartë pasioni dhe përkushtimi për futbollin në secilin klub. Ai theksoi se skuadrat janë maksimalisht të përqendruara dhe po punojnë me disiplinë, besim dhe seriozitet në këtë fazë të rëndësishme përgatitore për stinorin pranveror.

“Tek secila skuadër u vërejt dëshira për përmirësim, uniteti i grupit dhe etja për sukses. Trajnerët, stafi dhe lojtarët po japin maksimumin, të vetëdijshëm se puna që bëhet sot është themeli i rezultateve të nesërme”, ka deklaruar Ademi.

Kryetari i FFK-së nënvizoi se grumbullimet përgatitore nuk shërbejnë vetëm për aspektin fizik dhe taktik, por edhe për ndërtimin e karakterit dhe shpirtit garues të skuadrave. Sipas tij, emocioni, pasioni dhe dashuria për fanellën ndiheshin në çdo hap.

Me këtë energji dhe përkushtim, Ademi shprehu bindjen se stinori pranveror do të sjellë futboll cilësor, rivalitet të bukur dhe ndeshje të forta që do të mbeten në kujtesën e tifozëve, duke shtuar se futbolli kosovar po vazhdon të rritet dhe të përgatitet për sfida edhe më të mëdha në të ardhmen./Lajmi.net/