AC Milan i jep leksion Juventusit, ngritët në pozitën e tretë

AC Milan ka shënuar fitore komode në udhëtim te Juventus, sfidë e vlefshme për xhiron e 35-të në Seria A.

Sport

09/05/2021 22:38

“Rossonerët” pas plotë nëntë viteve ia dolën të fitojnë në “Allianz Stadium”, duke arkëtuar pikët e plota me rezultat 0 – 3, shkruan lajmi.net.

Ishte Brahim Diaz që me një supergol në kornerin e portës zhbllokoi rezultatin në fundin e pjesës së parë (45+1).

Franck Kessie më pas e humbi penalltinë (58′), por Milan nuk u ndal dhe gjeti golin e dytë përmes Ante Rebic, që shënoi nga distanca duke lënë të ‘shtangur’ portierin kundërshtar.

Ndërkohë, për epilogun përfundimtar 0 – 3, u përkujdes Fikayo Tomori (82′).

Pas kësaj fitore, Milan ngritët në pozitën e tretë me 72 pikë, derisa Juventus në të pestën me 69 sosh./Lajmi.net/