A mund të mos përbëjë çështje kushtetuese lënda e AAK për votimin e fshehtë në Kuvend?
Qysh në mëngjes iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit. Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka dorëzuar në këtë institucion lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë,…

Lajme
Qysh në mëngjes iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka dorëzuar në këtë institucion lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, përkatësisht votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Kjo iniciativë e AAK-së është mbështetur edhe nga disa deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“Sot si AAK, me nënshkrimet e deputetëve tanë, të LDK-së por edhe të PDK-së, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese për interpretim të votimit në mes të procedurave për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Raporti është hartuar nga ekspertë të AAK-së dhe ne kërkuam nga Gjykata Kushtetuese që kjo të trajtohet me prioritet. Duke konsideruar se është shkelje ligjore, po mendojmë se po zhvlerësohet edhe vlera e Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur seanca çdo 48 orë, e në të cilat konsiderojmë se po shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, tha deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj pas dorëzimit të lëndës.
Por, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se kjo çështje e ngritur nga AAK dhe disa deputetë të tjerë mund të mos përbëjë çështje kushtetuese.
“Vendimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për ta dërguar kërkesën për vlerësim të kushtetutshmërisë të kësaj seance në Gjykatën Kushtetuese mund të mos përbëj çështje kushtetuese për shkak që kjo seancë nuk i plotëson tiparet e nenit 113 – paragrafit 5, ku aty thuhet se vetëm një vendim i miratuar nga ana e Kuvendit të Kosovës mund të dërgohet në Gjykatës Kushtetuese për vlerësim te kushtetutshmërisë”, vlerëson Jakaj.
Kuvendi i Kosovës ka mbetur i pa konstituuar për shkak se shumica deputetëve refuzojnë që ta pranojnë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiun, për kryeparlamentare.
Deri më tani ajo ka arritur t’i sigurojë vetëm 57 vota, ndërsa seanca e ardhshme do të mbahet të martën në ora 10:00. /teve1