A do t’i lejojë Serbia të marrin pjesë karateistët e Kosovës në Kampionatin Evropian në Novi Sad?

Lojtarët e hendbollit u përjashtuan prej kualifikimeve për Kampionatin Botëror të Juniorëve, xhudistja Anja Obradoviq u tërhoq nga Kampionati Evropian… Të gjitha këto shkaku i dueleve me Kosovën, ekipin e tyre përfaqësues dhe garuesit e tyre.

Sport

24/03/2018 17:06

Federata Evropiane e Hendbollit pezulloi Federatën e Hendbollit të Serbisë dhe ndoshta e njëjta gjë e pret edhe Federatën e Xhudos së Serbisë.

Problemet në planin sportiv nuk përfundojnë me kaq për shtetin serb. E gjithë kjo pasi nga 9 deri më 13 maj në Novi Sad, mbahen kampionati evropian i karatesë.

Një nga vendet pjesëmarrëse do të jetë edhe Kosova. Vendi mikpritës është i detyruar të ngrit flamujt e shteteve pjesëmarrëse para hotelit ku vendosën sportistët dhe në sallën ku do të zhvillohen garat.

Pra, ndër të tjera, organizatori është i detyruar të ngrit flamurin e Kosovës para hotelit në qendër të Novi Sadit dhe në sallën “Spens”.

Salla e Novi Sadit “Spens”, ku Serbia është e detyruar të ngrit flamurin e Kosovës me rastin e organizimit të Kampionatit Evropian të Karatesë
Salla e Novi Sadit “Spens”, ku Serbia është e detyruar të ngrit flamurin e Kosovës me rastin e organizimit të Kampionatit Evropian të Karatesë

Salla e Novi Sadit “Spens”, ku Serbia është e detyruar të ngrit flamurin e Kosovës me rastin e organizimit të Kampionatit Evropian të Karatesë

Karate është një sport olimpik që nga viti 2016 dhe megjithëse Komiteti Olimpik i Serbisë në kohë ka paralajmëruar për këtë gjë, Ministria e Rinisë dhe Sporteve, e kryesuar nga Vanja Udoviçiq, ende nuk ka reaguar rreth kësaj teme, shkruan blic.rs.

Në fakt, qeveria serbe ka reaguar përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme duke mos lejuar të zhvillohet ndeshja e grupmoshave të reja të hendbollisteve mes Serbisë dhe Kosovës, por jo edhe në rastin e karatesë që do të zhvillohet për më pak se një muaj nga dita e sotme.

Anulimi i takimeve me Kosovën ka bërë që të pezullohet federata serbe si dhe përjashtohen nga gara vashat e kombëtares së Serbisë.

“Çfarë faji kanë vajzat tona që iu shua një ëndërr për të shkuar në Kupën e Botës në hendboll? Përpjekjet, puna dhe stërvitjet e tyre ranë në ujë, humbëm një brez”, shkruan më tutje portali serb.

Por, mbetet të shihet se si do të veprojë shteti serb edhe me rastin e evropianit për karate, ku Serbia ka marrë obligimin për organizimin e kësaj gare prestigjioze për garuesit e mbarë kontinentit tonë.

Më tutje portali pyet se “si do të reagojmë në rast se takohemi me Kosovën në futboll apo basketboll, dy sportet më të popullarizuara?”.
Theksojmë në fund se shteti serb gjatë ditës së sotme ua ka ndaluar ballafaqimin xhudisteve të veta me të Kosovës, përkatësisht xhudistja Anja Obradoviq ka humbur në tavolinë prej xhudistes sonë Laura Fazliu, e cila me këtë rast është kualifikuar në finale të kampionatit evropian për të rinj në Sarajevë. /Telegrafi/