Pështjellimi me Dacicin

Kryeministri Thaçi e quan individual vendimin për moslejimin e vizitës së Dacic në Kosovë gjatë fushatës. Thotë se nuk ka arsye të dëmtohet procesi i ndërtimit të fqinjësisë së mirë. Zyrtarë qeveritarë tash flasin për kritere që duhet të respektohen.

Lajme

03/10/2013 15:57

Një ditë pasi që Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kishte pohuar se gjatë fushatës zgjedhore nuk do të lejohet vizita e Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic në Kosovë, zyrtarë qeveritarë kosovarë kanë folur për një “keqkuptim”.

Tash, thuhet se nuk ka një vendim të tillë, por ka rregulla me kritere të qarta lidhur me çështjen e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi, duke u përgjigjur lidhur me qëndrimin që Ivica Dacic të mos lejohet të hyjë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore, ka thënë se vendimet e institucioneve të Kosovës kanë qenë autonome.

Ai ka thënë se nuk ka arsye të dëmtohet procesi i ndërtimit të fqinjësisë së mirë mes dy vende tona.

Kryeministri Thaçi i ka bërë këto komente gjatë hapjes zyrtare të Universitetit Publik të Gjilanit, të enjten.

“Ne kemi përgjegjësitë tona kushtetuese dhe ligjore, ka qenë një vendim i përgjegjësive individuale. Ne jemi të interesuar të ketë sukses në procesin zgjedhor. Dhe, procesi i ndërtimit të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka asnjë arsye që të dëmtohet.”

Kryeministri a deklaruar se janë në proces të implementimit të të gjitha marrëveshjeve, por që ende nuk është përmbyllur procesi i fqinjësisë së mirë.

Këshilltari i Parë i Kryeministrit të Kosovës, Bekim Çollaku, ndërkaq, i ka pohuar Radios Evropa e Lirë se Qeveria nuk ka marrë ndonjë vendim për ndalesën e vizitave të zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në Kosovë gjatë kohës së fushatës zgjedhore.

“Si duket është krijuar ndonjë keqkuptim i panevojshëm. Nuk ka ndonjë vendim të tillë në fuqi. Qeveria e Kosovës ka në fuqi procedurat për vizitat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë në Kosovë të cilat do të vazhdojnë të zbatohen edhe në të ardhmen.”

“Çdo kërkesë e zyrtareve të Serbisë, e cila u drejtohet autoriteteve të Kosovës për të marrë leje për të vizituar Kosovën, do të trajtohet në mënyrë individuale dhe varësisht nga rrethanat dhe situata, dhe duke i marrë parasysh kriteret që janë në fuqi, do të jepen përgjigje relevante”.

I pyetur nëse vizitat do të zhvillohen edhe në shërbim të fushatës zgjedhore, Çollaku ka shtuar më tej për Evropën e Lirë se kriteret janë të qarta.

“Kriteret janë të qarta dhe varësisht se sa i zbatojnë kriteret zyrtarët serbë, ashtu edhe do të trajtohen kërkesat e tyre për vizita në Kosovë”.

Një ditë më parë, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi kishte pohuar se zyrtarëve serbë do t’u ndalohet hyrja në Kosovë gjatë fushatës parazgjedhore, e cila nis më 3 tetor.