Peja nuk del në parket, Prishtina fiton 20:0
Sigal Prishtina mposhti Pejën me rezultat zyrtar 20:0 në duelin e ndërprerë në çerekun e tretë për shkak të përleshjeve të tifozëve në tribuna. Në shenjë proteste për vendimin e gjyqtarëve për të zbrazur sallën, skuadra pejane nuk e vazhdoi ndeshjen.
Sport
Peja u solidarizua me tifozët e saj dhe nuk doli në parket për të vazhduar sfidën kundër Sigal Prishtinës, duke ia dorëzuar fitoren skuadrës nga kryeqyteti që triumfon me rezultat zyrtar 2:0, dhe kalon në finale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Dueli ishte duke shkuar në rregull deri 2 minuta e 12 sekonda para përfundimit të çerekut të tretë kur te rezultati 52:48 në favor të Prishtinës, shpërtheu dhuna në tribuna mes Plisave dhe një grupi të tifozëve që gjendeshin në mesin e tribunës në palestrën Shani Nushi në Gjakovë.
Gjyqtarët morën vendim që të zbrazet salla ku Plisat dolën menjëherë prej saj.
Sigal Prishtina u stërvit, Peja nuk doli në parket
Mirëpo, në pakënaqësi për largimin e tifozëve të tyre me pretendimin se nuk ishin fajtor për atë që ndodhi, presidenti i Pejës, Art Gashi tha për RTV 21 se skuadra e tij nuk do ta vazhdojë ndeshjen.
Për dhunën ai nuk pati arsyetim se pse ndodhi, por shprehu pakënaqësinë e tij për emërimin e Faton Kurshumliut si një nga gjyqtarët e takimit, edhe pse ai kishte kërkuar që arbitri në fjalë të mos e udhëheq ndeshjen.
Sipas rregullores, gjyqtarët pritën në afat të caktuar rikthimin e skuadrës pejane që nuk doli më në parket dhe e shpallën fituese Sigal Prishtinën me rezultat zyrtar 20:0. Skuadra bardhekaltër në finale do të luajë kundër Bashkimit të dielën.
Dhuna vazhdoi edhe jashtë palestrës – Sipas dëshmitarëve të pranishëm në ndeshje, Plisat në dalje të sallës kanë demoluar veturat me targa të Pejës dhe njësiti special i policisë ka intervenuar duke arrestuar një numër të konsiderueshëm të tifozëve të Sigal Prishtinës, skuadër që në fund fitoi me rezultat zyrtar 20:0 dhe u kualifikua në finale të Kupës së Kosovës në basketboll.