Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme
Presidentja Atifete Jahjaga organizoi pritje në 6 vjetorin e pavarësisë. Foli për të arriturat, zhvillimin e vendit, por edhe për luftën kundër korrupcionit dhe reformat e thella të cilat, sipas saj, Kosova duhet t'i bëjë në mënyrë që të ecë përpara.
Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka organizuar sot një pritje me rastin e gjashtëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni, Jahjaga ka thënë se Kosova gjatë këtyre viteve të funksionimit si shtet ka shënuar shumë të arritura.
“Në 6 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, nderojmë vizionin, përpjekjet dhe përkushtimin e gjeneratave të tëra”.
“Sot kur kemi vendosur themelet e shtetësisë sonë dhe kur po e shënojmë këtë përvjetor të pavarësisë, ne e dëshmojnë qëndrueshmërinë tonë për ta realizuar këtë ideal”.
“Vizioni ynë promovon tolerancën për të ndërtuar një të ardhme më të mirë”.
“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, e paprekshme, e ndërtuar në cdo pjesë të Kosovës, për cdo qytetar të Kosovës, e pranuar në cdo pjesë të botës”.
“Na mbetet shumë punë për ta ndërtuar një shtet të pakorruptuar”.
“Ky 6 vjetor na gjen me një demokraci më të zhvilluar dhe me këmbëngulje në proceset për integrime europiane”.
“Historia e dhunës dhe konflikteve, e hegjemonisë dhe shtypjes, ka përfunduar. Kemi hapur rrugën e integrimit dhe rrugën për një të ardhme më të mirë”.
Ndërsa ajo ka përmendur edhe sfidat që e presin vendin në të ardhmen.
“Ne duhet ta hapim perspektivën tonë përmes thellimit te reformave të gjithmbarshme, të cilat sado të dhimbshme dhe të rënda, do të ndihmojnë për një të ardhme më të mirë”
“Kjo është barra dhe puna e të gjithë neve”.
“Është përgjegjësi e përbashkët e jona të avancojmë proceset drejt integrimit europian”, ka thënë Presidentja Jahjaga.