BE vëzhgon zgjedhjet

Catherine Ashton ka emëruar Roberto Gualtierin si Shef të Misionit Vëzhgues. Thotë se BE synon ta mbështesë Kosovën në mbarëvajtjen një procesi zgjedhor fer dhe gjithëpërfshirës, meqë zgjedhjet e 3 nëntorit janë element qenësor i Marrëveshjes së 19 prillit.

Lajme

19/09/2013 15:01

Në kontekst të lehtësimit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Bashkimi Europian do ta vendosë një Mision Vëzhgimi të Zgjedhjeve për të vëzhguar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE’së për Politikë të Jashtme se Siguri, Catherine Ashton, e ka emëruar Roberto Gualtierin si Shef të Misionit Vëzhgues.

“Misioni Vëzhgues i BE’së synon ta mbështesë Kosovën në mbarëvajtjen e një procesi zgjedhor fer dhe gjithëpërfshirës, pasi që zgjedhjet e 3 nëntorit janë një element qenësor i Marrëveshjes së 19 prillit”, ka thënë Ashton.

“Vendimi për ta dërguar një mision të tillë vie si rezultat i një misioni eksplorues i cili konfirmoi se vëzhguesit e BE’së do të ishin të mirëseardhur nga të gjithë faktorët e përfshirë në proces.”

“Unë jam e bindur se, nën drejtimin e deputetit të Parlamentit Europian Roberto Gualtieri, misioni vëzhgues do ta përmbushë synimin e vet.”

Pritet që misioni i BE’së të përbëhet prej rreth 100 vëzhguesish.