Vulinit i ndalohet vizita në Gjakovë

Ministri Bajram Rexhepi konfirmoi për lajmi.net ndalesën për ministrin serb Vulin. Kjo masë erdhi pas reagimit të gjakovarëve kundër kësaj vizite. Protestës i qe bashkuar edhe vetë Kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila.

Lajme

06/01/2014 10:27

(E plotësuar, 12:10)

Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi e ka refuzuar kërkesën e Aleksandër Vulinit për të vizituar komunën e Gjakovës

“Me qëllim të sqarimit të opinionit lidhur me kërkesën e z. Aleksander Vulin për të vizituar Republikën e Kosovës, përkatësisht komunat e Pejës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Graqanicës, dëshirojmë të ju informojmë se Ministri i Punëve të Brendshme, z. Bajram Rexhepi, më datë 3 janar 2014 ka marrë vendim për të refuzuar vizitën e z.Vulin në komunën e Gjakovës, e paraparë për datë 6 dhe 7 janar 2014”, thuhet në komunikatën e MPB’së.

“Ministria e Punëve të Brendshme siguron gjithë qytetarët e vendit se çdo vendim për lejimin apo mos lejimin e vizitave të tilla merret me përgjegjësi shtetërore dhe institucionale, duke respektuar legjislacionin në fuçi dhe në përputhje me interesat e qytetarëve të vendit.”

“Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Brendshme fton autoritetet komunale në Gjakovë të mos krijojnë shqetësime dhe brenga për qytetarët, para se të njihen me realitetin dhe realiteti, sipas tyre është se Vulinit, i është refuzuar kërkesa dhe nuk do të lejohet të vizitojë komunën e Gjakovës”, thuhet në komunikatë.

——–

 

Përkundër paralajmërimeve, Aleksandar Vulinit do t’i duhet të presë edhe më tej për të shkuar në Gjakovë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bajram Rexhepi konfirmoi për lajmi.net se ministrit serb pa portofol, i cili është i ngarkuar për Kosovën, i është ndaluar vizita në këtë qytet.

Rexhepi nuk dha detaje, duke bërë të ditur se MPB së shpejti do të dalë me një komunikatë për këtë vendim.

“I është ndaluar vizita. Së shpejti do të dalim me një komunikatë”, ka thënë Ministri Rexhepi për lajmi.net.

Paralajmërimi se Vulin do të shkonte në Gjakovë për të marrë pjesë në ceremoninë e kremtimit të krishtlindjeve ortodokse ngjalli reagime të shumta nga gjakovarët.

Ka qenë vetë Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari- Lila e cila i shkroi mbrëmë letër publike Vulinit, me porosinë që të mos provonte të nisej në Gjakovë në kohën kur Serbia ende nuk a ëkrkuar falje për krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa sot, ajo nuk ka qëndruar në zyrën e vet të punës por që nga mëngjesi ka qëndruar afër Kishës Ortodokse, bashkë me qytetarët tjerë të Gjakovës për ta kundërshtuar këtë vizitë.

Tërheqja e lejes së vizitës së Vulinit është konfirmuar edhe nga Komuna e Gjakovës, përmes një komunikate.

Gjakova është njëra ndër komunat e cila ka pësuar më së shumti viktima civile nga lufta e viteve 1998- 1999 në Kosovë.

Në komunikatën e Komunës së Gjakovës përshëndetet tërheqja e lejes së vizitës së Vulinit. Aty thuhet se “kësisoj nuk erdhi deri tek provokimi eventual verbal ndaj qytetarëve të Gjakovës të cilët ende jetojnë në dhimbje të madhe për përjetimet që kanë patur në luftën e fundit, ku janë vrarë dhe zhdukur me mijëra civilë”.