FSK nderon sakrificën e familjes Jashari në Prekaz në kuadër të Festave të Nëntorit

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit, gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sipas njoftimit të FSK-së,…

Lajme

28/11/2026 10:35

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festave të Nëntorit, gjeneralë dhe oficerë të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke nderuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sipas njoftimit të FSK-së, homazhet u zhvilluan në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën sublime të familjes Jashari, të Komandantit legjendar Adem Jashari, si dhe të gjithë dëshmorëve që u flijuan për lirinë e vendit.

Në njoftim theksohet se Festat e Nëntorit përfaqësojnë data me rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare, të cilat rikujtojnë ngjarjet dhe sakrificat që shënuan rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë.

“Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 28 nëntor 1997, në Llaushë të Skenderajt, një ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë e luftës për lirinë e Kosovës. Kjo ngjarje shënoi një moment të rëndësishëm të organizimit dhe të rezistencës së armatosur për çlirimin e vendit, duke u bërë pjesë e pandashme e kujtesës historike të popullit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Në njoftim theksohet gjithashtu se FSK-ja, përmes këtij aktiviteti përkujtimor, ka riafirmuar respektin e saj të përhershëm ndaj historisë së luftës për liri, sakrificës së dëshmorëve dhe vlerave mbi të cilat u ndërtua shteti i Kosovës.