Limaj paralajmëron rrezikun nga vendimi i Apelit në Hagë: Serbia mund ta përdorë për ta kontestuar pavarësinë e Kosovës
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngritur shqetësimin se një vendim i pafavorshëm i Gjykatës Speciale në shkallën e Apelit mund t’i japë Serbisë argumente për të nisur një proces të ri gjyqësor kundër Kosovës, me synim kontestimin e pavarësisë së saj. Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Limaj ka thënë se…
Lajme
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka ngritur shqetësimin se një vendim i pafavorshëm i Gjykatës Speciale në shkallën e Apelit mund t’i japë Serbisë argumente për të nisur një proces të ri gjyqësor kundër Kosovës, me synim kontestimin e pavarësisë së saj.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Limaj ka thënë se një zhvillim i tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht humbjen e pavarësisë së Kosovës, por mund të ketë pasoja të rënda politike dhe ndërkombëtare për vendin, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, hapja e një procesi të tillë do të mund të ndikonte në ndaljen e njohjeve të reja, largimin e investimeve të huaja dhe pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Limaj ka paralajmëruar se pasojat e mundshme mund të shfaqen edhe pas disa vitesh, ndaj ka kërkuar që institucionet e Kosovës të mos e neglizhojnë këtë rrezik.
Ai u ka bërë thirrje pozitës dhe opozitës që të angazhojnë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë dhe të përgatiten për çdo skenar të mundshëm.
“Kjo betejë nuk është thjesht për katër vetë”, ka deklaruar Limaj, duke argumentuar se procesi në Hagë, sipas tij, nuk lidhet vetëm me fatin e individëve të akuzuar, por edhe me mënyrën se si vlerësohet qëllimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i PSD-së ka shprehur bindjen se, edhe në rast të një vendimi të pafavorshëm në Apel, të akuzuarit mund të kthehen në Kosovë brenda një kohe të shkurtër. Sipas tij, shqetësimi kryesor nuk është vetëm kohëzgjatja e mbajtjes së tyre në burg, por pasoja që mund të prodhojë vendimi i Gjykatës.
Limaj ka theksuar se synimi duhet të jetë që ish-krerët e UÇK-së të kthehen në Kosovë pa një vendim që, sipas tij, do të mund të përdorej për të dëmtuar shtetësinë e vendit.
“Synimi duhet të jetë që ata, kur të kthehen në Aeroportin e Prishtinës, të mos kthehen me atë që e quajti ‘certifikatë të të dënuarit’, por me ‘certifikatën e pavarësisë’”, është shprehur Limaj./lajmi.net/