“Vajza e tij më tha veç mos na e prish rendin se na e ndalin vizitën” – Daut Krasniqi tregon pse nuk e takoi sot vëllain Jakupin
Daut Krasniqi, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka treguar se përse nuk ka arritur ta takojë sot vëllain e tij, i cili ka ardhur nga Haga në Kosovë për një vizitë familjare. Duke folur për lajmi.net, ai ka bërë të ditur se ishte këshilluar nga mbesa e tij që të mos…
Lajme
Daut Krasniqi, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka treguar se përse nuk ka arritur ta takojë sot vëllain e tij, i cili ka ardhur nga Haga në Kosovë për një vizitë familjare.
Duke folur për lajmi.net, ai ka bërë të ditur se ishte këshilluar nga mbesa e tij që të mos ndërhynte në mbarëvajtjen e vizitës, për shkak të frikës se ajo mund të ndërpritej.
“Vajza e tij më tha veç mos na e prish rendin se na e ndalin vizitën”, është shprehur Daut Krasniqi.
Ai ka folur edhe për gjendjen shëndetësore të kunatës së tij, bashkëshortes së Jakup Krasniqit, të cilën e ka përshkruar si të rëndë.
Vizita e Jakup Krasniqit në Kosovë raportohet se është realizuar pikërisht për arsye familjare, për shkak të problemeve shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Gjatë ditës, lajmi.net ka raportuar për praninë e shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it pranë shtëpisë së Krasniqit në Prishtinë.
Po ashtu, lajmi.net ka publikuar pamje nga momenti kur ish-kryeparlamentari takohet dhe përqafohet me familjarët pas ardhjes nga Haga.
Sipas informacioneve të raportuara më herët nga terreni, Krasniqi pritej të qëndronte pranë familjes deri rreth orës 17:00.
Jakup Krasniqi ndodhet në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa edhe më herët ishte lejuar të vinte përkohësisht në Kosovë për arsye humanitare./Lajmi.net/