Paralajmërohen erëra të forta në Prishtinë, qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për erëra të forta që pritet të përfshijnë kryeqytetin gjatë ditës së enjte, nga mesdita deri në orët e mbrëmjes. Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), era do të fryjë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi prej 30 deri në…
Lajme
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka paralajmëruar qytetarët për erëra të forta që pritet të përfshijnë kryeqytetin gjatë ditës së enjte, nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.
Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), era do të fryjë nga jugu dhe jugperëndimi, me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, ndërsa në intervale të caktuara mund të ketë edhe shpërthime më të fuqishme.
Krahas erërave, për të enjten parashihen edhe reshje të lehta shiu me ndërprerje. Era pritet të fillojë të forcohet që nga mbrëmja e së mërkurës, ndërsa gjatë së premtes gradualisht do të dobësohet.
Në lidhje me këtë situatë, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar dhe të sigurojnë vazot, mobiliet e lehta dhe sendet e tjera që ndodhen në ballkone, tarraca dhe oborre.
Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet të shmangin qëndrimin pranë pemëve të mëdha, skelave dhe tabelave reklamuese gjatë periudhës së erërave të forta.
Edhe drejtuesit e automjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët e ekspozuara ndaj erës.
Për raportimin e rasteve emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit, e cila është në dispozicion 24 orë në ditë, në numrat:
- 0800 122 33
- 0800 122 44 /Lajmi.net/