Franc Çopja në krye të një rrjeti gjigant të kokainës, dyshohet për trafikimin e 60.7 tonëve drejt Evropës
SPAK-u në Shqipëri ka përfunduar hetimet ndaj një organizate kriminale ndërkombëtare, e cila dyshohet se ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Në mesin e 16 personave për të cilët është kërkuar gjykimi ndodhet edhe Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, i identifikuar nga Prokuroria si njëri prej…
Bota
SPAK-u në Shqipëri ka përfunduar hetimet ndaj një organizate kriminale ndërkombëtare, e cila dyshohet se ka trafikuar të paktën 60.7 tonë kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Në mesin e 16 personave për të cilët është kërkuar gjykimi ndodhet edhe Franc Gergely, i njohur si Franc Çopja, i identifikuar nga Prokuroria si njëri prej drejtuesve të grupit.
Sipas dosjes së SPAK-ut, organizata kriminale dyshohet se ka funksionuar gjatë viteve 2019–2021, duke shtrirë aktivitetin në disa shtete të Evropës dhe Amerikës së Jugut, transmeton lajmi.net.
Siç raporton Euronews Albania, duke iu referuar njoftimit të SPAK-ut të 5 nëntorit 2026, dosja me 16 të pandehur është dërguar në Gjykatën e Posaçme, pas përfundimit të hetimeve për procedimin penal nr. 187/2023.
Në krye të organizatës, sipas pretendimeve të Prokurorisë, qëndronin Franc Çopja dhe Ervis Çela, të cilët dyshohet se kishin ndarë përgjegjësitë për sigurimin, financimin dhe transportimin e kokainës.
Çopja akuzohet se koordinonte financimin e transportit ndërkombëtar, nxjerrjen e ngarkesave nga portet evropiane dhe shpërndarjen e drogës, ndërsa Çela dyshohet se merrej me sigurimin e saj në vendet e origjinës dhe organizimin e transportit.
Nga Amerika Latine drejt porteve evropiane
Hetimet kanë zbuluar një skemë të organizuar të transportimit të kokainës nga Bolivia drejt Paraguajit, e më pas në tregjet evropiane. Në disa raste, droga dyshohet se transportohej me avionë të vegjël përpara se të përgatitej për dërgesat ndërkombëtare.
Për të fshehur aktivitetin, organizata dyshohet se përdorte kompani tregtare që merreshin me import dhe eksport të produkteve të ligjshme. Kokaina fshihej në ngarkesa me bojëra, stuko patinimi dhe materiale të tjera industriale.
Një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë ishte porti i Antverpenit në Belgjikë. Sipas SPAK-ut, rrjeti kishte krijuar kontakte me persona të lidhur me strukturat doganore dhe të sigurisë portuale, përfshirë punonjës që operonin pajisjet e skanimit.
Pas hyrjes në Evropë, Holanda dyshohet se shërbente si qendër e rëndësishme për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës në shtetet e tjera.
Komunikimet e enkriptuara zbuluan aktivitetin
Një pjesë e rëndësishme e hetimeve është mbështetur në komunikimet e siguruara nga platformat e enkriptuara SkyECC dhe EncroChat.
Përmes këtyre komunikimeve, hetuesit kanë identifikuar biseda që lidhen me sasitë e kokainës, çmimet, transportin, financimin dhe pagesat ndërmjet personave të përfshirë.
Sipas dosjes, për transferimin e parave përdorej edhe sistemi informal Hawala, ndërsa për koordinimin e pagesave shfrytëzoheshin kode të veçanta identifikuese, të njohura si “token”.
18.6 tonë kokainë të kapur në pesë operacione
SPAK-u ka evidentuar pesë raste konkrete të sekuestrimit të kokainës në shtete të ndryshme evropiane, të cilat dyshohet se lidhen me aktivitetin e organizatës.
Në dhjetor të vitit 2019, në Roterdam u sekuestruan rreth 255 kilogramë kokainë, ndërsa në prill të vitit 2020, në Barcelonë u kapën 495 kilogramë.
Në maj të vitit 2020, autoritetet në Roterdam sekuestruan edhe 300 kilogramë të tjerë, ndërsa në nëntor të po atij viti, në Holandë u kapën rreth 600 kilogramë.
Operacioni më i madh u zhvillua në shkurt të vitit 2021 në Hamburg të Gjermanisë, ku u sekuestruan rreth 17 tonë kokainë.
Në total, pesë rastet përfshijnë rreth 18.6 tonë drogë të sekuestruar. Megjithatë, sipas përllogaritjeve të Prokurorisë, sasia e përgjithshme që dyshohet se është trafikuar nga organizata arrin në të paktën 60.7 tonë.
Mbi 9 milionë euro pasuri nën sekuestro
Përveç aktivitetit të dyshuar të trafikut të drogës, hetimet janë përqendruar edhe në identifikimin e pasurive që dyshohet se janë krijuar nga të ardhurat e paligjshme.
Me kërkesë të SPAK-ut, Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestro preventive mbi pasuri me vlerë të përgjithshme rreth 9.18 milionë euro.
Në mesin e tyre janë resorti “Ajman Park” në Xhafzotaj të Durrësit, me investim të përllogaritur në rreth 463 milionë lekë, si dhe një vilë në kompleksin turistik “Ionian Olea” në Dhërmi, me vlerë tregu rreth një milion euro.
Nën sekuestro janë vendosur edhe prona të lidhura me Albin dhe Riza Çelën, përfshirë toka, ndërtesa, objekte industriale dhe interesa në kompani tregtare.
Lista përfshin gjithashtu kuotat e shoqërisë “Check Company”, 25 automjete në pronësi të saj, 130 mijë euro para të gatshme dhe pasuri të tjera.
Në hetimin e këtij rrjeti, SPAK-u ka bashkëpunuar me Europol-in, Eurojust-in dhe autoritetet gjyqësore të disa shteteve evropiane dhe të Amerikës së Jugut.
Ndërkohë, hetimet po vazhdojnë në një procedim të veçuar për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë dhe për gjurmimin e pasurive të mundshme të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Të gjithë personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës./lajmi.net/