Tragjedi në Poloni: Të shtëna me armë në Krakov, gjashtë të vrarë e 15 të plagosur, i dyshuari përfundon në spital

Një sulm me armë zjarri në qytetin e Krakovit, në Poloni, ka përfunduar me gjashtë persona të vrarë dhe 15 të plagosur. Autoritetet kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është plagosur gjatë përballjes me policinë, ndërsa motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur. Ngjarja ndodhi të shtunën në një nga zonat e frekuentuara…

Bota

07/11/2026 18:42

Një sulm me armë zjarri në qytetin e Krakovit, në Poloni, ka përfunduar me gjashtë persona të vrarë dhe 15 të plagosur. Autoritetet kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është plagosur gjatë përballjes me policinë, ndërsa motivi i sulmit ende nuk është bërë i ditur.

Ngjarja ndodhi të shtunën në një nga zonat e frekuentuara të Krakovit, duke shkaktuar panik në mesin e qytetarëve dhe turistëve që ndodheshin aty, transmeton lajmi.net.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, gjashtë persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Nga të plagosurit, 12 raportohet se janë në gjendje të rëndë.

Pas incidentit, policia polake nisi një operacion për kapjen e personit të dyshuar, i cili u lokalizua në një pjesë tjetër të qytetit.

Gjatë përballjes me forcat e rendit, i dyshuari u qëllua dhe u plagos, para se të arrestohej. Ai më pas u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat, i dyshuari dyshohet se ka vepruar i vetëm. Në automjetin e tij janë gjetur edhe armë dhe municion.

Gjatë incidentit është raportuar edhe për të shtëna në drejtim të një tramvaji të linjës numër 1. Një plumb kishte goditur dhe thyer xhamin e kabinës së drejtuesit, por fatmirësisht nuk pati të lënduar në mesin e udhëtarëve.

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka bërë të ditur se po informohet vazhdimisht për zhvillimet dhe hetimet lidhur me këtë ngjarje.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të sulmit, identitetin e viktimave dhe motivin e mundshëm të autorit.

Deri në përditësimin e fundit, nuk është bërë e ditur se çfarë e shtyu të dyshuarin të kryente sulmin.

Sipas raportimeve të Associated Press, The Guardian dhe autoriteteve lokale të Krakovit, bilanci i fundit është gjashtë persona të vdekur dhe 15 të plagosur./lajmi.net/