Hoti kritikon Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale: Në gjashtë muaj janë shpenzuar vetëm 37% e buxhetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale, duke thënë se pavarësisht numrit të madh të tenderëve me negociim, shpenzimi i buxhetit për investime mbetet larg planifikimeve. Përmes një postimi, Hoti ka bërë të ditur se nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për investime…
Lajme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar nivelin e ulët të realizimit të investimeve kapitale, duke thënë se pavarësisht numrit të madh të tenderëve me negociim, shpenzimi i buxhetit për investime mbetet larg planifikimeve.
Përmes një postimi, Hoti ka bërë të ditur se nga 1.02 miliardë euro të planifikuara për investime kapitale gjatë vitit, në gjashtë muajt e parë janë shpenzuar vetëm 377 milionë euro, apo rreth 37 për qind e buxhetit.
Ai ka theksuar se në këtë shumë përfshihen edhe 82 milionë euro të paguara për vendime gjyqësore, çka sipas tij nënkupton se investimet kapitale reale arrijnë në vetëm 295 milionë euro.
Hoti ka paraqitur edhe të dhënat për realizimin e investimeve sipas ministrive, ku disa prej tyre kanë shënuar përqindje veçanërisht të ulëta. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal figuron me 0 për qind realizim, ndërsa Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare me vetëm 1 për qind.
Përqindje të ulëta, sipas të dhënave të publikuara nga Hoti, kanë edhe Ministria e Ekonomisë me 9 për qind, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 11 për qind, si dhe Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me nga 15 për qind.
Sipas Hotit, mosrealizimi i investimeve kapitale po i kushton ekonomisë së vendit, pasi qindra miliona euro që duhej të qarkullonin në biznese dhe të krijonin të ardhura për mijëra punëtorë, po mbeten të pashpenzuara.
Deputeti i LDK-së ka vlerësuar se kjo situatë dëshmon për dështime në realizimin e investimeve të planifikuara. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: