Irani pas humbjes së republikanëve në SHBA: Amerikanët i thanë “JO” luftës
Irani ka reaguar pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se amerikanët kanë votuar kundër luftës. Kryetari i Parlamentit iranian dhe kryenegociatori në bisedimet me SHBA-në, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë të mërkurën se rezultatet zgjedhore përbëjnë një mesazh të qartë kundër konfliktit ushtarak. “Qoftë për shkak të ndërgjegjes apo kostos së…
Bota
Irani ka reaguar pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se amerikanët kanë votuar kundër luftës.
Kryetari i Parlamentit iranian dhe kryenegociatori në bisedimet me SHBA-në, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka thënë të mërkurën se rezultatet zgjedhore përbëjnë një mesazh të qartë kundër konfliktit ushtarak.
“Qoftë për shkak të ndërgjegjes apo kostos së jetesës, amerikanët i thanë JO LUFTËS dhe ne e mbështesim këtë mesazh”, ka shkruar Ghalibaf në platformën X.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu administratën amerikane që të mos shpërfillë, sipas tij, vullnetin e qytetarëve.
“Nëse qeveria amerikane tradhton vullnetin e popullit të saj për t’u shërbyer financuesve dhe shantazhuesve ndërkombëtarë, do të mësojë se JO-ja jonë vjen me një makth”, ka deklaruar ai.
Reagimi i zyrtarit iranian vjen pas zgjedhjeve të së martës, në të cilat demokratët kanë siguruar kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, sipas projeksioneve zgjedhore, duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme Partisë Republikane të presidentit Donald Trump.
Zgjedhjet u zhvilluan në një periudhë pakënaqësish për shkak të kostos së jetesës, tarifave tregtare dhe luftës me Iranin, e cila ka ndikuar në rritjen e çmimeve të karburanteve.
Edhe presidenti Trump ka pranuar se konflikti me Iranin ka ndikuar në rezultatin zgjedhor të republikanëve.
“Mendoj se një pjesë e saj ishte Irani, por në të njëjtën kohë, njerëzit e kuptuan rëndësinë e asaj që kam bërë me Iranin”, ka thënë Trump në një intervistë telefonike për Fox News.
Lufta, e cila nisi në shkurt pas sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, ka mbetur prej muajsh në një situatë bllokimi, me shkëmbime të herëpashershme zjarri dhe shqetësime për rifillimin e përshkallëzuar të luftimeve.
Ndërkohë, Katari vazhdon përpjekjet ndërmjetësuese mes Uashingtonit dhe Teheranit, në kohën kur tensionet mbeten të larta për shkak të bllokadës detare amerikane dhe sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.
Autoritetet iraniane kanë konfirmuar se shkëmbimi i mesazheve me Shtetet e Bashkuara po vazhdon përmes ndërmjetësve, ndërsa rihapja e ngushticës lidhet me kërkesën e Teheranit për përfundimin e bllokadës amerikane.