Nga mungesa e psikologëve te mbingarkesa me raste, rasti i Arlinda Zekajt zbulon problemet e QPS-ve
Rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi policia e shoqëroi deri në shtëpi pas raportimit të dhunës në familje, ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Përveç policisë, prokurorisë dhe gjykatave, një rol të rëndësishëm në…
Lajme
Rasti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi policia e shoqëroi deri në shtëpi pas raportimit të dhunës në familje, ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Përveç policisë, prokurorisë dhe gjykatave, një rol të rëndësishëm në këtë zinxhir kanë edhe Qendrat për Punë Sociale (QPS).
Por, sipas Vebi Mujkut, ekspert i çështjeve sociale dhe ish drejtor i QPS në komunën e Prishtinës, këto qendra në Kosovë përballen me mungesë të theksuar të stafit dhe kushteve bazë për ta kryer punën.
“Gjendja në 38 Qendrat për Punë Sociale në 38 komunat e Kosovës është alarmante. Numri i stafit është shumë i vogël. Shumica e qendrave nuk kanë psikolog brenda, shumica nuk kanë as vetura për transport, as pjesë logjistike”, thotë Mujku në podkastin “5 Pyetje”.
Ai vlerëson se, në këto rrethana, qendrat nuk mund t’u përgjigjen me kohë dhe në mënyrë të duhur të gjitha rasteve që u paraqiten.
Rasti i Arlindës dhe përgjegjësia institucionale
Arlinda Zekaj kishte denoncuar vazhdimisht tek institucionet përgjegjëse rrezikun që i kanosej. Dështimin e tyre për ta mbrojtur e konfirmuan në një konferencë të premten edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Pas vrasjes së saj, një varg zyrtarësh përgjegjës u pezulluan, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dha dorëheqjen.
Sipas Mujkut, sinjalet e dhëna nga viktimat duhet të merren seriozisht dhe të shërbejnë për vlerësimin e menjëhershëm të rrezikut.
“E ka parandjerë vdekjen, e ka paraparë që nuk ka mbrojtje, i ka drejtuar të gjitha institucioneve dhe asnjë nuk e ka marrë seriozisht”, thotë ai.
Mujku kritikon edhe qasjen e Policisë, duke theksuar se detyra e policisë nuk përfundon me shoqërimin e viktimës deri në banesë, por duhet të synojë garantimin e sigurisë së saj.
“Polici nuk është taksist. Polici është për të krijuar siguri”, thotë ai.
Ai vlerëson se viktimat e dhunës në familje përballen edhe me pasoja të trajtimit të papërshtatshëm institucional.
“Përveç dhunës në familje që [viktimat] e përjetojnë, përjetojnë edhe dhunë institucionale”, thotë Mujku.
Për të përmirësuar këtë gjendje, ai kërkon reformim të sistemit të shërbimeve sociale, përcaktim më të qartë të përgjegjësive dhe qartësim se kush kujt i jep llogari për detyrën.
Mbingarkesa pamundëson trajtimin e rasteve
Sipas Mujkut, një prej problemeve kryesore nëpër QPS është numri i madh i rasteve që u ngarkohen punëtorëve socialë.
“Një menaxher i rastit që i ka sot 300 lëndë aktive, është e pamundshme t’ia mbajë mend vetëm emrat, e jo edhe historinë e secilit rast”, thotë ai.
Mujku paralajmëron se mungesa e kapaciteteve mund të bëjë që punëtori social të arrijë t’i trajtojë vetëm rastet më urgjente.
“Jam shumë i sigurt që ka raste të cilat fare nuk trajtohen në mungesë të kapaciteteve dhe kohës”, thotë ai.
Në rastet e dhunës në familje, Mujku thotë se Qendrat për Punë Sociale kanë përgjegjësi të rëndësishme në vlerësimin e situatës së viktimës, përcaktimin e nevojave për mbrojtje dhe koordinimin me institucionet e tjera.
“E para e punës, në secilin rast, është krijimi i sigurisë. Ne më së pari duhet të kujdesemi ta krijojmë sigurinë për përfituesin e shërbimeve, pastaj vijnë shërbimet e tjera”, thotë ai.
Vlerësimet e punëtorëve socialë nuk merren parasysh
Një tjetër problem që ai e veçon është bashkëpunimi mes QPS-ve me gjykatat. Mujku thotë se punëtorët socialë, ndonëse e njohin nga afër situatën e familjeve dhe të personave të përfshirë në një rast, jo gjithmonë kanë mundësi ta paraqesin vlerësimin e tyre gjatë procedurave gjyqësore.
“Ka shumë ankesa kur punëtori social shkon në seancë gjyqësore dhe nuk i jepet fjala. Nuk mund as ta shprehë mendimin e vet. I thuhet: ‘Rri aty, mirë që ke ardhur’”, tregon Mujku.
Ai argumenton se punëtorët socialë kanë njohuri të drejtpërdrejta për rastet, pasi takojnë viktimat, personat që ushtrojnë dhunë dhe fëmijët, si dhe vizitojnë familjet e komunitetet ku jetojnë ata.
“Punëtori social e sheh drejtpërdrejt rastin, e takon viktimën, e takon ushtruesin e dhunës, e takon fëmijën, shkon e viziton familjen, komunitetin, shkollën”, thotë ai.
Sipas tij, vlerësimet e këtyre profesionistëve duhet të kenë peshë në vendimmarrje, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë e viktimave dhe interesin më të mirë të fëmijëve./Radio Evropa e Lirë/