Musliu i drejtohet Kurtit: Pse të mos trimërohen kriminelët në Kosovë, kur ti nuk i përgjigjesh Prokurorisë?
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosparaqitjen para Prokurorisë Speciale, duke ngritur pikëpyetje për mesazhin që, sipas saj, një sjellje e tillë u përcjell personave që duhet të japin llogari para drejtësisë. Përmes një reagimi, Musliu ka vlerësuar se mosrespektimi i thirrjeve të Prokurorisë nga kreu…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosparaqitjen para Prokurorisë Speciale, duke ngritur pikëpyetje për mesazhin që, sipas saj, një sjellje e tillë u përcjell personave që duhet të japin llogari para drejtësisë.
Përmes një reagimi, Musliu ka vlerësuar se mosrespektimi i thirrjeve të Prokurorisë nga kreu i Qeverisë mund të krijojë bindjen se përballja me drejtësinë është çështje vullneti dhe jo obligim ligjor, transmeton lajmi.net.
“Pse të mos trimërohen kriminelët në Kosovë, kur nga vetë kreu i shtetit u krijohet bindja se përballja me drejtësinë është çështje zgjedhjeje dhe jo detyrim ligjor?”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka pyetur se çfarë shembulli po u jepet qytetarëve kur kryeministri, sipas saj, nuk i përgjigjet për muaj të tërë ftesës së Prokurorisë për intervistim.
“Kur kryeministri i vendit, për muaj të tërë, nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për intervistim, çfarë mesazhi u dërgohet qytetarëve dhe çfarë shembulli u jepet atyre që duhet të japin llogari para ligjit?”, ka deklaruar deputetja e PDK-së.
Musliu ka theksuar se zbatimi i ligjit duhet të nisë pikërisht nga udhëheqësit e institucioneve, duke rikujtuar se askush nuk duhet të ketë imunitet nga përgjegjësia para drejtësisë.
Ndryshe, Kurti nuk u është përgjigjur thirrjeve të Prokurorisë Speciale për t’u paraqitur në cilësinë e dëshmitarit lidhur me hetimet për çështjen e rezervave shtetërore./lajmi.net/