Greva e mbeturina në shkollat e kryeqytetit, vonohen pagat e nuk respektohet paga minimale – A është fajtore Komuna e Prishtinës?
Disa shkolla të kryeqytetit ani se po mbeten me plot bërllok, Komuna e Prishtinës nuk e “qan kokën” për mbeturinat në ambientet shkollore. Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë u futën në grevë javë më parë dhe kanë paralajmëruar se ajo do vazhdojë, pasi që sipas Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë…
Lajme
Disa shkolla të kryeqytetit ani se po mbeten me plot bërllok, Komuna e Prishtinës nuk e “qan kokën” për mbeturinat në ambientet shkollore.
Punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Prishtinë u futën në grevë javë më parë dhe kanë paralajmëruar se ajo do vazhdojë, pasi që sipas Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, pagat e muajit shtator ani se janë realizuar me vonesë ato nuk janë paguar në përputhje me pagën minimale (500 euro bruto), raporton KosovaPress.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës nuk po merr përgjegjësi për pagat e punëtorëve teknikë në kryeqytet.
Përkundër se komuna në fjalë ndanë tenderë (kontratë financiare me kompani private) për mirëmbajtjen (pastrimin) e shkollave në Prishtinë, nuk jep detaje për buxhetin e ndarë për shkollat dhe zbatimin e pagës minimale.
“Për sektorin privat nuk përgjigjemi ne, por kompanitë private”, thuhet në një përgjigje të shkurtër me shkrim për KosovaPress nga Komuna e Prishtinës. Nga komuna nuk janë përgjigjur se, tenderi për mirëmbajtjen e shkollave (pastrimit) është përputhje me pagën aktuale minimale.
KosovaPress ka kërkuar përgjigje lidhur ma pagat edhe nga kompania private ‘ERIK ShPK’, e cila është njëra prej subjekteve private për pastrimin e disa shkollave në Prishtinë. Nëpërmjet telefonit është kërkuar nga një zyrtare e kësaj kompanie t’i drejtohemi me pyetje nëpërmjet emailit zyrtar, por që nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Edhe Inspektorati Qendror i Punës ka evidentuar vonesa të pagave, kryesisht për punëtorët pastrimit.
Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi për KosovaPress thotë se kanë informacione që Komuna e Prishtinës ka mjete buxhetore për të dhënë pagat e caktuara, por arsyen se pse nuk i ekzekutojnë ato nuk janë në dijeni.
E përderisa këto paga nuk ekzekutohen, Azemi tha se greva e këtyre punëtorëve do të vazhdojë sepse kanë mbështetje ligjore dhe se ‘nuk do të heqin dorë’ deri në realizimin e tyre.
“Është shumë e rëndë sepse është një qëndrim i punëtorëve që me të drejtë që përderisa mos të paguhen, mos ti kryejnë të gjitha borxhet, nuk duan me filluar me punuar. Kemi informacione që komuna e Prishtinës ka mjete, kemi informacione edhe shumë normale që vendimi i qeverisë së Kosovës i mirë për dikënd apo i keq për dikënd, ai duhet të respektohet. Pse nuk po e respekton komuna e Prishtinës, ne nuk po mund të arrijmë deri te një vendim përfundimtar, por megjithatë, derisa komuna e Prishtinës heziton ta bën pagesën, neve po na vjen keq, po punëtorët teknikë të shkollave të mesme dhe shkolla fillore nuk do të kthehen procesin e punës sepse kanë mbështetjen e tyre ligjore dhe nëse ata kanë llogari edhe ne duhet ta shtymë edhe pse pa dëshirën tonë”, thotë Azemi.
Ai tha se këta punëtorë paguhen tan inga 391 euro në muaj, dhe për shkak të pagave të ulëta, Azemi shprehet i mllefosur se për çdo muaj largohen nga Kosova 4500 punëtorë, e nëë vit plot 50 mijë. Sipas tij, këto shifra duhet t’I shqetësojnë Komunën e Prishtinës dhe Qeverinë e Kosovës.
“Një kryefamiljar që më së paku i ka katër anëtarë të familjes. Në fund të muajit i merr 391 euro dhe ato nuk i japin me kohë. Nuk donë një filozofi me e pa që pikërisht këto veprime që janë duke i bë edhe komuna e Prishtinës edhe qeveria të jenë në dijeni që vetëm brenda çdo muaj na ikin nga 4.500 veta. Nuk janë të krisur këta njerëz Këta njerëz ikën nga nevoja për ta mbajtur familjen e tyre gjallë. Dhe nëse çdo vit ikin nga 50.000 punëtorë dhe qeveria dhe organet e tjera nuk shqetësohen ne nuk dimë çka me thënë. Vetëm se me pagat që i kemi nuk po na lënë të vdesim sepse po e kemi ka një kafshore bukë në gojë, por nuk mund të mbijetosh me 391 euro në muaj”, shtoi ai.
Ndërsa ekonomisti, Bashkim Mustafa për KosovaPress tha se në momentin kur Komuna e Prishtinës ka kontratë me ndonjë nga kompanitë private duhet të jetë më e vëmendshme dhe t’i mbrojë punëtorët e sektorit privat.
‘Problematikat janë më të thella se sa në dukje të parë, sepse punonjësit e sektorit privat, në realitet kërkojnë të ardhura më të larta, por në fakt komuna nuk ka ndonjë detyrim që t;ju jap para shtesë atyre. Por, në momentin e lidhjes së kontratave, komuna duhet të jetë më e kujdesshme, me vëmendshme dhe konform kushteve dhe kërkesave që i ka edhe të punonjësve, në njërën anë të mbrojnë sektorin privat duke vendosur kritere që të mos shkelen punonjësit e sektorit privat. Ndërsa në anën tjetër, duke rritur çmimet e kontratave me kompanitë të cilat i kanë i përfitojnë këto shërbime, që në realitet në fund që humbësit më të madh në këtë segment janë ata që e përfitojnë këto shërbime, domethënë ku ofrohen hapësirat për pastërtinë e tyre dhe në pjesën tjetër janë punonjësit të cilët nuk i arrijnë qëllimet e tyre’ tha Mustafa.
Ndërkohë në rastet kur Inspektorati Qendror i Punës gjen se një kompani e caktuar private shkelë këto të drejta dhe vonon pagat e punëtorëve merr masat e përcaktuara me Ligjin për Inspektime.
Në një përgjigje me shkrim, ky inspektorat tregon se brenda këtyre masave është konstatimi i gjendjes faktike, referuar shkeljeve, afati për eliminim, apo inicimi i procedurës kundervajtese në Gjykatë.
“Masat janë të përcaktuara me Ligjin për inspektime: Konstatimi gjendjes faktike, referuar shkeljeve, pastaj afati për eliminim, apo inicohet procedurë kundervajtese në Gjykatë”, thuhet në përgjigje.
Sa i përket procesit të inspektimit, ato realizohen sipas llojit e që janë inspektim i planifikuar, i pa planifikuar, sipas parashtresës, në bashkëpunim me organet tjera dhe riinspektimi.
Më tej, potencohet se rastet më të theksuara të insepktimeve që kryejnë janë brenda kompanive të ëpastrimit dhe sigurimit fizik.
‘Rastet më të theksuara kanë qenë sektori i pastrimit dhe sigurimit fizik’, thekson inspektorati.