Rama reagon pas plagosjes së të riut në sy: I sigurova kurimin në Itali, akuzon nxitësit e dhunës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas plagosjes së të riut nga Elbasani në sy, gjatë protestës së mbajtur më 24 tetor në Tiranë, duke bërë të ditur se është angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit të tij mjekësor në Itali. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka njoftuar se është siguruar transporti i…

Lajme

25/10/2026 13:16

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas plagosjes së të riut nga Elbasani në sy, gjatë protestës së mbajtur më 24 tetor në Tiranë, duke bërë të ditur se është angazhuar personalisht për sigurimin e trajtimit të tij mjekësor në Itali.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka njoftuar se është siguruar transporti i të riut me një avion mjekësor charter, si dhe trajtimi në një spital në Itali.

Kryeministri ka shprehur keqardhje për lëndimin e të riut, por njëkohësisht ka kritikuar ata që, sipas tij, po e përdorin rastin për të nxitur më tej dhunën.

“Më vjen shumë keq kur kushdoqoftë lëndohet fizikisht, qoftë edhe një protestues i dhunshëm, por si mund të shmanget çdo lëndim i mundshëm nëse dhuna e dikton natyrën e një proteste?!”, ka shkruar Rama.

Ai ka akuzuar nxitësit e dhunës se po e shfrytëzojnë rastin e të riut për të nxitur përplasje të tjera, duke kritikuar edhe mesazhet që, sipas tij, përhapen përmes televizioneve dhe rrjeteve sociale.

“Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit”, ka shkruar Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri ka pretenduar se protestat e dhunshme po nxiten nga individë me interesa politike dhe ka deklaruar se qytetarët do t’i gjykojnë këto veprime.

Në fund të postimit, Rama është shprehur se mbështet protestat paqësore, por ka kundërshtuar përdorimin e dhunës dhe shkatërrimin e pronës. /Lajmi.net/