Cakolli sqaron procedurat për Ligjin për Specialen: Afati për dekretim ose kthim nga Presidentja përfundon më 23 tetor
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka dhënë sqarime lidhur me procedurat kushtetuese dhe parlamentare që lidhen me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se afati që presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ta dekretojë ose ta kthejë ligjin në Kuvend përfundon të premten, më 23 tetor. Përmes një reagimi, Cakolli ka…
Lajme
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka dhënë sqarime lidhur me procedurat kushtetuese dhe parlamentare që lidhen me Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se afati që presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ta dekretojë ose ta kthejë ligjin në Kuvend përfundon të premten, më 23 tetor.
Përmes një reagimi, Cakolli ka shpjeguar se presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj për rishqyrtim vetëm një herë, nëse vlerëson se ai mund të dëmtojë interesat legjitime të Kosovës ose të komuniteteve. Sipas tij, kundërshtimet duhet të arsyetohen përmes vërejtjeve konkrete ndaj ligjit në tërësi ose dispozitave të caktuara të tij, transmeton lajmi.net.
Ai ka theksuar se kjo kompetencë duhet të ushtrohet brenda afatit tetëditor nga pranimi i ligjit.
Sipas Cakollit, nëse presidentja nuk merr vendim brenda afatit, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe hyn në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Në rast se ligji kthehet në Kuvend, Cakolli ka bërë të ditur se deputetët mund ta miratojnë sërish me shumicën e të gjithë deputetëve, përkatësisht me së paku 61 vota për, duke e tejkaluar kështu veton e presidentes.
Ai ka vënë në pah edhe paqartësitë që ekzistojnë në Rregulloren aktuale të Kuvendit lidhur me mundësinë e ndryshimit të dispozitave të ligjit pas kthimit nga presidentja.
Sipas tij, ndonëse Rregullorja e vjetër e Kuvendit e parashihte shprehimisht mundësinë e korrigjimit të çështjeve të ngritura nga presidenti, Rregullorja aktuale e trajton kryesisht mundësinë e tejkalimit të vetos, pa e shtjelluar në mënyrë të qartë procedurën për ndryshime të mundshme.
Megjithatë, Cakolli vlerëson se mundësia për të korrigjuar dispozitat e kundërshtuara buron natyrshëm nga vetë procesi i rishqyrtimit, pasi ndryshimet do të shërbenin për adresimin e vërejtjeve të presidentes.
Ai ka sqaruar gjithashtu se, nëse Ligji për Specialen kthehet në Kuvend, Komisioni për Legjislacion ka katër javë kohë nga pranimi i tij për të përgatitur raportin për seancë, por shqyrtimi mund të përfundojë edhe më herët.
Sipas tij, interpretimi i Rregullores nga ky komision do të ishte i rëndësishëm për të sqaruar mënyrën se si mund të propozohen dhe votohen ndryshimet para se ligji të rikthehet në seancë plenare.
Në fund të reagimit, hulumtuesi i KDI-së ka përmendur edhe rastet e mëparshme të kthimit të ligjeve nga presidentët e Kosovës. Sipas tij, deri më tani janë shënuar të paktën tetë raste të tilla: katër gjatë presidencës së Atifete Jahjagës, dy gjatë asaj të Hashim Thaçit dhe dy gjatë presidencës së Vjosa Osmanit.
Cakolli ka përmendur edhe rastin e ligjit për pensionet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese pas kthimit nga presidentja Jahjaga. Sipas tij, ky rast ndihmon në sqarimin e kufijve të kompetencës presidenciale për kthimin e ligjeve dhe dallimin e saj nga propozimi i amendamenteve.
Reagimi i tij i plotë:
Presidentja mund ta kthejë një ligj në Kuvend për rishqyrtim, përmes asaj që njihet si veto pezulluese, duke e ndalur përkohësisht shpalljen e tij. Sidoqoftë, kjo e drejtë është e kushtëzuar me një dëm eventual ndaj interesave legjitime të Kosovës ose të komuniteteve, të cilin Presidentja duhet ta shpjegojë përmes kundërshtimeve konkrete ndaj ligjit në tërësi, ose neneve specifike të tij. Po ashtu, kompetenca për kthim duhet të ushtrohet brenda afatit 8-ditor nga pranimi i ligjit.
Për Ligjin për Specialen, afati për dekretim ose kthim përfundon këtë të premte, më 23 tetor, ndërsa kalimi i tij pa vendim e bën ligjin të konsiderohet i shpallur edhe pa dekret dhe të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Në rast kthimi, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin, këtë herë me shumicën e të gjithë deputetëve, pra së paku 61 vota për, duke e përmbysur veton. Me këtë votim ligji konsiderohet i shpallur, ndërsa presidentja e ka konsumuar mundësinë e kthimit, të cilën mund ta ushtrojë vetëm një herë për të njëjtin ligj.
Sa i përket ndryshimit të projektligjit në rast të kthimit nga Presidentja, ndryshe nga Rregullorja e vjetër e cila parashihte shprehimisht mundësinë e miratimit të korrigjimeve të çështjeve që ishin ngritur nga Presidenti, Rregullorja aktuale e Kuvendit e përshkruan vetëm mundësinë e përmbysjes së vetos dhe e lë pa shtjelluar procedurën e ndryshimeve potenciale.
Sidoqoftë, konsideroj që mundësia e Kuvendit për t’i korrigjuar dispozitat e kundërshtuara rrjedh natyrshëm nga kthimi për rishqyrtim, sepse ndryshimet shërbejnë pikërisht për t’i adresuar vërejtjet e presidentes. Paqartësia lidhet me procedurën, ndërsa kufizimi vetëm në miratimin ose rrëzimin e tekstit të mëparshëm do t’ia ngushtonte kuptimin rishqyrtimit, edhe kur problemet mund të zgjidhen duke ndryshuar disa nene.
Nëse Ligji për Specialen do të kthehet, Komisioni për Legjislacion ka katër javë nga pranimi për ta përgatitur raportin për seancë, me mundësi që shqyrtimin ta përfundojë edhe më herët. Interpretimi i Rregullores nga ky komision shërben edhe për të sqaruar mënyrën e propozimit dhe votimit të ndryshimeve, përpara se ligji të kthehet në seancë.
Në të kaluarën, kemi pasur të paktën tetë raste të kthimit të ligjeve nga presidentët e Kosovës, katër nga Jahjaga, dy nga Thaçi dhe dy nga Osmani. Një nga rastet e Jahjagës, lidhur me pensionet e pjesëtarëve të FSK-së, ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka sqaruar kufijtë e kësaj kompetence dhe e ka dalluar kthimin e ligjit nga propozimi i amendamenteve prej presidentes./lajmi.net/