Nuk kaluan 1 milion eurot për proteza, Konushevci tenton të sqarojë situatën: Asnjë kërkesë nuk është në pritje të trajtimit

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Arton Konushevci, ka reaguar pas kritikave për mosmiratimin e amendamentit që parashihte ndarjen e një milion eurove shtesë për protezat dhe pajisjet mjekësore për invalidët e luftës. Përmes një postimi, Konushevci ka tentuar të sqarojë situatën, duke theksuar se financimi i protezave vazhdon përmes mekanizmit ekzistues dhe se mosmiratimi…

Lajme

21/10/2026 17:20

Kryetari i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Arton Konushevci, ka reaguar pas kritikave për mosmiratimin e amendamentit që parashihte ndarjen e një milion eurove shtesë për protezat dhe pajisjet mjekësore për invalidët e luftës.

Përmes një postimi, Konushevci ka tentuar të sqarojë situatën, duke theksuar se financimi i protezave vazhdon përmes mekanizmit ekzistues dhe se mosmiratimi i amendamentit nuk nënkupton ndërprerjen e mbështetjes për përfituesit, transmeton lajmi.net.

“Mosmiratimi i një amendamenti për mjete shtesë buxhetore nuk nënkupton mungesë të financimit për protezat e invalidëve të luftës”, ka shkruar ai.

Konushevci ka bërë të ditur se deri më tani kanë përfituar 103 persona, me rimbursime të miratuara në vlerë të përgjithshme prej 1 milion e 488 mijë eurosh.

Ai gjithashtu ka pretenduar se kjo çështje është përdorur për qëllime politike, duke shtuar se financimi i këtij shërbimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Postimi i plotë:

Sqarim lidhur me financimin e protezave për invalidët e luftës

Pas raportimeve dhe reagimeve të sotme lidhur me mosmiratimin e amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje të tjera mjekësore për invalidët e luftës, e konsideroj të nevojshme të sqaroj disa fakte për opinionin publik.

Mbulimi i shpenzimeve për protezat e invalidëve të luftës së UÇK-së ka nisur në vitin 2023, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 kjo mbështetje është zgjeruar edhe për invalidët civilë të luftës.

Përfituesit kanë të drejtë ta zgjedhin vetë institucionin ku dëshirojnë ta marrin shërbimin, ndërsa shpenzimet u mbulohen në masën 100 për qind.

Deri më tani, të gjithë personave që kanë pasur nevojë për këtë shërbim, u janë mbuluar shpenzimet.

Sipas informacioneve që kam, aktualisht asnjë kërkesë për protezë nuk është në pritje të trajtimit. Financimi i këtij shërbimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Prandaj, është e rëndësishme të theksohet se mosmiratimi i një amendamenti për mjete shtesë buxhetore nuk nënkupton mungesë të financimit për protezat e invalidëve të luftës.

Sipas raporteve të trajtimit dhe rimbursimit, deri më tani kanë përfituar gjithsej 103 persona, me një vlerë të përgjithshme të rimbursimeve të miratuara prej 1,488,631.83 eurosh.

Prej tyre:

58 invalidë të luftës së UÇK-së, me rimbursime të miratuara në vlerë prej 1,022,570.01 eurosh;

45 invalidë civilë të luftës, me rimbursime të miratuara në vlerë prej 466,061.82 eurosh.

Për më tepër, Qeveria Kurti e ka institucionalizuar financimin e këtij shërbimi përmes Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, duke e larguar administrimin e tij nga vendimmarrja e vetëm një personi, siç kishte ndodhur më parë.

Pra, mbështetja financiare që po kërkohet sot përmes amendamentit është pjesë e një mekanizmi që funksionon prej vitit 2023 dhe që do të vazhdojë të zbatohet.

Sa i përket debatit parlamentar, konsideroj se kjo çështje është përdorur edhe për qëllime politike. Edhe anëtarë të opozitës në Komisionin për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur kanë qenë në dijeni të mekanizmit ekzistues të financimit.

Madje, gjatë diskutimeve në komision, një anëtar ka deklaruar: “Le të shkojë kjo çështje te Komisioni për Buxhet dhe ata të mos e votojnë, që të mbetet te ata”.

Një qasje e tillë ngre shqetësime se debati për një çështje kaq të ndjeshme po përdoret për përfitime politike dhe për vëmendje në rrjetet sociale, në vend që të përqendrohet te nevojat reale të përfituesve.

Invalidët e luftës dhe invalidët civilë të luftës meritojnë trajtim dinjitoz, mbështetje të vazhdueshme dhe informacion të saktë për të drejtat e tyre. Kjo çështje duhet të trajtohet me përgjegjësi institucionale, jo përmes deklarimeve që mund të krijojnë pasiguri te përfituesit.

Si kryetar i Komisionit, mbetem i përkushtuar që, brenda përgjegjësive tona parlamentare, të vazhdojmë mbikëqyrjen e zbatimit të këtij mekanizmi dhe angazhimin për përmirësimin e trajtimit të të gjitha kategorive të dala nga lufta.

Arton Konushevci
Kryetar i Komisionit për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur./lajmi.net/