Kurti dhe kryesuesi i Bordit të AKP-së diskutojnë për asetet shtetërore dhe bartjen e tyre në Fondin Sovran

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Hekuran Nikçi, me të cilin ka diskutuar për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, çështjet e pazgjidhura pronësore dhe përmbylljen e mandatit të Agjencisë. Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë gjatë…

Lajme

13/10/2026 20:17

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Hekuran Nikçi, me të cilin ka diskutuar për administrimin dhe mbrojtjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore, çështjet e pazgjidhura pronësore dhe përmbylljen e mandatit të Agjencisë.

Sipas njoftimit, vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua pronave të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden në Serbi, si dhe nevojës për identifikimin, dokumentimin dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore mbi këto asete.

Në këtë kontekst, u diskutua edhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes për Kadastrin, të arritur në Bruksel më 2 shtator 2011, përmes së cilës Serbia ishte zotuar për dorëzimin e dokumentacionit kadastral të marrë nga Kosova.

Pavarësisht marrëveshjes dhe mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, përfshirë një projekt në vlerë prej rreth dy milionë eurosh për zbatimin e saj, sipas njoftimit, Serbia ende nuk i ka përmbushur plotësisht obligimet e marra. Kjo situatë vazhdon të vështirësojë trajtimin e çështjeve pronësore dhe garantimin e sigurisë juridike mbi pronën.

Një tjetër çështje e trajtuar në takim ishte përmbyllja e mandatit të AKP-së dhe bartja e aseteve përkatëse në Fondin Sovran të Republikës së Kosovës. Për këtë qëllim, u diskutua për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe institucionale, me synimin e përmirësimit të administrimit të pasurisë publike dhe vënies së saj në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.

Gjatë takimit u diskutua edhe për Ligjin për Fondin Sovran, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2023, i cili, sipas njoftimit, ende është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.

Mungesa e një vendimi përfundimtar ka pamundësuar hyrjen në fuqi të ligjit dhe zbatimin e reformës së paraparë për transformimin e mënyrës së administrimit dhe zhvillimit të aseteve shtetërore.

Në fund, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vazhdimit të angazhimit institucional për mbrojtjen e pasurisë së Republikës së Kosovës, zgjidhjen e çështjeve të hapura pronësore dhe avancimin e reformave që synojnë administrim të përgjegjshëm, transparent dhe në interes publik të aseteve shtetërore.