Kurti e Abdixhiku heshtin pas takimeve, vetëm Hamza flet për negociatat

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar të dielën takime me dy liderët opozitarë, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Bedri Hamzën e PDK-së, në një kohë kur afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po afrohet dhe po ashtu çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Megjithatë, pas përfundimit të takimeve, as Kurti e as…

Lajme

03/10/2026 22:43

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar të dielën takime me dy liderët opozitarë, Lumir Abdixhikun e LDK-së dhe Bedri Hamzën e PDK-së, në një kohë kur afati për zgjedhjen e presidentit të Kosovës po afrohet dhe po ashtu çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Megjithatë, pas përfundimit të takimeve, as Kurti e as Abdixhiku nuk kanë dhënë deklaratë për përmbajtjen e bisedimeve, transmeton lajmi.net.

Takimi i parë u zhvillua ndërmjet Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas përfundimit të tij, Abdixhiku u largua nga objekti i Qeverisë pa dhënë deklaratë për media.

Më pas, Kurti priti në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza. Biseda mes tyre zgjati më shumë se dy orë, por edhe ky takim nuk solli marrëveshjen e shumëkërkuar mes palëve.

Për dallim nga Kurti dhe Abdixhiku, Hamza doli para gazetarëve dhe përsëriti qëndrimin e PDK-së për renditjen e hapave që duhet të ndërmerren në Kuvend.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin”, deklaroi Hamza.

Ai tha se bisedimet kanë përfunduar, por la të hapur mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje në ditët në vijim.

“Bisedat i kemi përfundu. Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje. Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, u shpreh kreu i PDK-së.

Përplasja kryesore mes palëve, sipas informacioneve të bëra publike deri tani, lidhet me renditjen e votimeve. PDK-ja kërkon që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen përfundimisht në të dy leximet dhe më pas të procedohet me zgjedhjen e presidentit.

Në anën tjetër, sipas burimeve të raportuara më herët, Kurti ka kërkuar që fillimisht ligji të kalojë në lexim të parë, më pas të votohet presidenti dhe vetëm pas kësaj të zhvillohet leximi i dytë i projektligjit.

Në sfond të këtyre zhvillimeve është edhe afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili përfundon më 6 tetor. Nëse nuk arrihet marrëveshje dhe dështon procesi i zgjedhjes së presidentit, vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse nuk arrihet marrëveshje për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. OVL-UÇK ka bërë thirrje për tubim para Kuvendit të Kosovës të hënën, më 5 tetor, në orën 12:00.

Kështu, ndërsa Hamza ka bërë publik qëndrimin e PDK-së, Kurti dhe Abdixhiku deri tani kanë zgjedhur të mos flasin për atë se çfarë është diskutuar në takimet e tyre./lajmi.net/