Maliqi: Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të destabilizojë Ballkanin dhe të dobësojë arkitekturën rajonale të sigurisë

Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të destabilizojë Ballkanin dhe të dobësojë arkitekturën rajonale të sigurisë, paralajmëron një analizë e fundit e Agon Maliqit në Atlantic Council për situatën në Ballkanin Perëndimor. Sipas Maliqit, ndonëse trupat evropiane mund të jenë në gjendje të marrin përsipër një pjesë të detyrave operative të SHBA-së në KFOR…

Lajme

03/10/2026 08:17

Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të destabilizojë Ballkanin dhe të dobësojë arkitekturën rajonale të sigurisë, paralajmëron një analizë e fundit e Agon Maliqit në Atlantic Council për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Sipas Maliqit, ndonëse trupat evropiane mund të jenë në gjendje të marrin përsipër një pjesë të detyrave operative të SHBA-së në KFOR dhe ngritja e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të vazhdojë edhe pa një prani të madhe amerikane, rëndësia e SHBA-së shkon përtej kapaciteteve ushtarake. Ai thotë se prania amerikane shihet si një element kyç i parandalimit dhe sinjalizimit politik në rajon.

Sipas Maliqit një tërheqje e SHBA-së do të interpretohej si shkëputje strategjike amerikane nga Kosova dhe Ballkani Perëndimor, duke dobësuar ndikimin e Uashingtonit në rajon. Një situatë e tillë, sipas tij mund ta shtyjë Kosovën dhe Serbinë të përshpejtojnë blerjet e armatimit dhe të përfshijë vende të tjera të NATO-s, veçanërisht Shqipërinë dhe Kroacinë, në një garë të rrezikshme të armatimit. Ndërkohë, Rusia mund ta shfrytëzojë largimin amerikan për të testuar vendosmërinë e NATO-s, veçanërisht në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Në një seancë të fundit dëgjimore në Kongresin amerikan për Ballkanin Perëndimor, përfaqësuesi republikan Keith Self ka paralajmëruar se “tërheqja e shqyrtuar e trupave amerikane është kërcënimi më i menjëhershëm ndaj paqes mes Kosovës dhe Serbisë”. Sipas analizës, vendimmarrësit amerikanë duhet të kenë parasysh edhe zhgënjimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Evropën, veçanërisht për shkak të ritmit të ngadaltë të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Një tërheqje e SHBA-së para integrimit më të madh të rajonit në strukturat e NATO-s dhe BE-së do të rrezikonte, sipas Maliqit, të minonte dekada investimesh në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.

Analiza e konsideron Kosovën një prej partnerëve më të besueshëm të SHBA-së në Evropën Juglindore dhe argumenton se prania amerikane në KFOR nuk mund të zëvendësohet plotësisht. Qeveritë e njëpasnjëshme të Kosovës kanë kërkuar që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, madje duke qenë të gatshme të diskutojnë edhe modele të ndarjes së kostove, të ngjashme me atë të Polonisë. Sipas Maliqit, prania e qindra ushtarëve amerikanë në Kosovë nuk është vetëm një garanci e përkohshme sigurie, por një investim strategjik që mund t’i mundësojë SHBA-së të ruajë një rol të qëndrueshëm si fuqi evropiane.