Nga bodrumi te rrënojat: Si mbijetoi Besarta Jashari në tri ditët e sulmit në Prekaz? – Dëshmia që e dha para Prokurorisë Speciale!
Tri ditë nën sulme, shpërthime dhe të shtëna. Familjarë të vrarë para syve dhe një fëmijë që, për të mbijetuar, u detyrua të shtrihej mes trupave dhe të shtirej si e vdekur. Kjo është dëshmia e Besarta Jasharit, një prej të mbijetuarave të sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 5, 6…
Lajme
Tri ditë nën sulme, shpërthime dhe të shtëna. Familjarë të vrarë para syve dhe një fëmijë që, për të mbijetuar, u detyrua të shtrihej mes trupave dhe të shtirej si e vdekur.
Kjo është dëshmia e Besarta Jasharit, një prej të mbijetuarave të sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998.
Dëshmia e saj është përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe përshkruan momentet që ajo kishte përjetuar si fëmijë gjatë sulmit ndaj lagjes Jasharaj.
Një nga kujtimet që i ka mbetur më së shumti në mendje lidhet me 7 marsin. Pas dy ditësh nën zjarr, Besarta dëgjoi Kushtrimin, djalin e Adem Jasharit, duke ardhur drejt tyre.
“E paskan vra babushin!”, kishte thënë ai.
Por tragjedia sapo kishte hyrë në fazën e saj më të rëndë.
Sulmet kishin nisur para 5 marsit
Besarta kishte lindur dhe ishte rritur në lagjen Jasharaj, ku jetonte së bashku me familjen e gjerë. Sipas dëshmisë së saj, në shtëpi ndodheshin rreth 30 anëtarë të familjes.
Frika, megjithatë, kishte hyrë në jetën e tyre disa javë më herët.
Më 22 janar 1998, një shpërthim i fuqishëm e kishte zgjuar Besartën. Kur ajo kishte tentuar të dilte jashtë, një kushërirë e kishte ndaluar.
“Mos dil jashtë, sepse na kanë rrethuar forcat serbe dhe munden me të vra”, i kishte thënë ajo.
Gjatë atij sulmi, motra e Besartës, Selvetja, ishte plagosur në shpinë, ndërsa Iliriana kishte marrë plagë në dorë.
Pas kësaj, jeta e familjes kishte ndryshuar. Fëmijët nuk shkonin më në shkollë, ndërsa familjarët kishin shmangur katet e sipërme të shtëpisë. Për t’u mbrojtur nga sulmet, ata qëndronin në bodrum dhe kishin vendosur thasë me rërë pranë dritareve.
“Ushtria serbe po e rrethon lagjen”
Mëngjesi i 5 marsit 1998 kishte nisur rreth orës 06:00.
Besarta kishte dalë në oborr pasi nëna e kishte dërguar të merrte dru. Në atë moment kishte dëgjuar një zhurmë të fuqishme.
Ajo kishte kërkuar shpjegim nga babai i saj, Hamza Jashari.
“Asgjë çika jem, ushtria serbe po e rrethon lagjen e Lushtakëve. Mos u shqetëso, shko brenda dhe shtriju aty ku keni qenë duke fjetur”, i kishte thënë ai.
Pak më vonë, shtëpia ishte përfshirë nga një breshëri e pandërprerë të shtënash.
Gratë, fëmijët dhe pjesëtarë të tjerë të familjes ishin mbledhur në një dhomë në bodrum. Nga jashtë dëgjoheshin të shtënat, ndërsa plumbat depërtonin edhe nëpër dritare.
Në pjesën e sipërme të shtëpisë kishin mbetur Adem Jashari, bashkëshortja e tij Adile dhe djali i tyre, Kushtrimi.
Në një moment, Kushtrimi kishte zbritur te familjarët e tjerë me lajmin se nëna e tij ishte vrarë.
“E kanë vrarë Adilen, nënën time”, kishte treguar ai.
Sipas dëshmisë së Besartës, Adem dhe Hamza Jashari kishin tërhequr trupin e Adiles dhe e kishin vendosur në kuzhinë.
Adem Jashari më pas ishte pozicionuar pranë dhomës ku ishin strehuar gratë dhe fëmijët dhe kishte qëlluar në drejtim të forcave serbe.
Tri ditë nën bombardime
Sulmi nuk kishte përfunduar me 5 marsin.
Edhe të nesërmen, familjarët kishin mbetur të bllokuar në hapësirat e shtëpisë, ndërsa mbi ta binin predha dhe vazhdonin të shtënat.
Sipas rrëfimit të Besartës, tanket, granatat dhe armët e rënda e kishin bërë pothuajse të pamundur daljen nga streha.
Më 7 mars, situata ishte përshkallëzuar edhe më shumë.
Kushtrimi kishte ardhur te pjesa tjetër e familjes dhe kishte dhënë lajmin për vrasjen e babait të tij.
“E paskan vra babushin!”, kishte thënë ai.
Pak më vonë, dhoma ku ishin strehuar gratë dhe fëmijët ishte goditur nga një tank.
Goditja kishte vrarë dhe plagosur disa prej familjarëve. Një tjetër shpërthim kishte shkaktuar rrënimin e dhomës, duke lënë trupat nën rrënoja.
Disa prej tyre kishin pësuar dëmtime të rënda nga shpërthimet.
Mes kësaj skene, Besarta kishte mbijetuar.
U shtri mes të vrarëve dhe u shtir si e vdekur
Pas goditjeve, Besarta kishte përdorur një hapësirë të krijuar nga predha për të dalë dhe për të parë nëse forcat serbe ishin larguar.
Por rreziku vazhdonte.
Kur ishte kthyer brenda, kishte parë se disa familjarë ende ishin gjallë. Në atë kohë, Kushtrimi ishte larguar nga vendi.
Më pas, dy policë serbë kishin hyrë në dhomë. Sipas dëshmisë, ata kishin hedhur një granatë dhe kishin qëlluar me armë automatike drejt trupave.
Besarta kishte kuptuar se mund të ishte viktima e radhës.
Ajo kishte shkuar në dhomën ku ndodheshin trupat e Adem dhe Adile Jasharit dhe ishte shtrirë pranë trupit të Adiles.
Aty kishte bërë sikur ishte e vdekur.
Dy policët kishin hyrë edhe në atë dhomë. Ata kishin marrë armën e Adem Jasharit dhe kishin kontrolluar trupat.
Kur kishin prekur Besartën, kishin kuptuar se ajo ishte ende gjallë.
E kishin kapur dhe e kishin nxjerrë jashtë, duke kaluar mbi trupat e familjarëve të saj.
Jashtë kishte parë edhe motrën e saj, Blerinën.
Besarta kishte kërkuar nga policët që ta merrnin edhe motrën, por kërkesa e saj ishte refuzuar.
Nga Prekazi në fabrikën e municionit
Pas nxjerrjes nga shtëpia, Besarta ishte vendosur në një automjet.
Gjatë kohës që mbahej aty, sipas dëshmisë së saj, një person i veshur me rroba të bardha, i cili fliste shqip, e kishte pyetur:
“Ku është Ademi dhe Hamza?”
Më pas ajo ishte dërguar në Fabrikën e Municionit në Skenderaj, ku ndodheshin edhe gra dhe fëmijë të tjerë nga familjet Jashari.
Atje, sipas rrëfimit të saj, kishte parë automjete të shumta që bartnin armë, si dhe pjesëtarë të forcave serbe.
Pas disa orësh, grave dhe fëmijëve u ishte thënë se mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Por për Besartën dhe familjarët e tjerë nuk kishte më shtëpi ku të ktheheshin.
“Nuk kemi ku të shkojmë, shtëpitë na janë shkatërruar”, kishin thënë gratë.
Besarta më pas ishte strehuar në Skenderaj dhe te familjarë të saj.
Kujtimet që nuk u zhdukën kurrë
Edhe shumë vite pas ngjarjeve në Prekaz, Besarta ka rrëfyer se kujtimet e atyre tri ditëve vazhdojnë ta shoqërojnë.
Në dëshminë e saj para Prokurorisë Speciale, ajo ka treguar se pamjet e 5, 6 dhe 7 marsit i rikthehen vazhdimisht.
Ka ditë kur, sipas saj, kujtimet e asaj kohe nuk e lejojnë të flejë apo të ndihet e qetë.
Megjithatë, në dëshminë e saj ajo ka shprehur edhe shpresën se përgjegjësit për krimet e kryera ndaj familjes së saj dhe civilëve në Kosovë do të përballen me drejtësinë.
Drejtësia, sipas saj, nuk mund t’i kthejë të vrarët, por mund të shërbejë për zbardhjen e asaj që ndodhi dhe për t’u dhënë një përgjigje të mbijetuarve.
Dëshmia e Besarta Jasharit është pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila trajton ngjarjet dhe veprimet e forcave serbe gjatë sulmit në lagjen Jashari në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998./lajmi.net/