​Ish-ambasadori në SHBA: Projektligji për Serbinë në Kongres duhet marrë seriozisht

“Çdo nismë që vjen nga Kongresi amerikan duhet marrë seriozisht”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivan Vujaçiq, ish-ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara. Kështu e komenton ai projektligjin e paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili kërkon masa ndaj Serbisë për shkak të prapakthimit demokratik dhe raporteve të saj me Rusinë dhe Kinën.…

Lajme

01/09/2026 21:15

“Çdo nismë që vjen nga Kongresi amerikan duhet marrë seriozisht”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ivan Vujaçiq, ish-ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara.

Kështu e komenton ai projektligjin e paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili kërkon masa ndaj Serbisë për shkak të prapakthimit demokratik dhe raporteve të saj me Rusinë dhe Kinën.

Projektligji, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, është paraqitur nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating.

Vujaçiq vlerëson se nisma nuk pritet të ketë ndonjë ndikim të menjëhershëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së, por se përbën një sinjal të rëndësishëm në Kongres, pasi vjen nga përfaqësues të të dyja partive.

“Është gjithashtu domethënëse që për këtë po flitet në këtë mënyrë, në një formë konkrete – gjë që kohët e fundit nuk ka qenë praktikë”, thotë ai.

Nisma e Wilsonit dhe Keatingut vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nisën në mes të korrikut Dialogun Strategjik, me synimin për të thelluar bashkëpunimin.

Në projektligj parashihet, gjithashtu, që Dialogu Strategjik të kushtëzohet me trajtimin e çështjeve që lidhen me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe me gjendjen e demokracisë në Serbi.

Lidhur me këtë nismë, Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë vetëm se “pret me kënaqësi bashkëpunimin me Serbinë për sigurimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”.

Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë dhe Presidenca e Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it lidhur me projektligjin e kongresistëve amerikanë.

Në projektligj thuhet, gjithashtu, se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj aktorëve të dëmshëm që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Sanksione parashihen edhe ndaj personave që kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të cilësdo zonë apo shteti në rajon.

Projektligji kërkon masa edhe ndaj atyre që në Ballkanin Perëndimor përfshihen në minimin e proceseve dhe institucioneve demokratike, në korrupsion apo në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Sanksione parashihen edhe për pengimin e marrëveshjeve dhe kornizave rajonale që lidhen me sigurinë, paqen, bashkëpunimin ose njohjen e ndërsjellë.

Projektligji titullohet “Akti për Mbështetjen e Sundimit të Ligjit, Ndërtimin e Drejtësisë Institucionale dhe Llogaridhënies”, apo shkurt “SRBIJA Act”.

“Në rend dite, me gjasë pas zgjedhjeve”

Republikani Wilson ka deklaruar se Serbia, nën presidentin Aleksandar Vuçiq, “është larguar qëllimisht, gjithnjë e më shumë, nga sundimi i ligjit”.

“… dhe është afruar me armiqtë e lirisë, si krimineli i luftës [presidenti rus, Vladimir] Putin, Partia Komuniste e Kinës dhe regjimi terrorist në Teheran”, ka shtuar ai.

Wilson ka thënë gjithashtu se, pavarësisht protestave të përhapura kundër korrupsionit, “Qeveria e Vuçiqit kërcënon të destabilizojë rajonin dhe më gjerë”.

“Populli i Serbisë meriton më mirë”, ka shkruar ai në rrjetin X.

Ish-ambasadori i Serbisë në Uashington, Ivan Vujaçiq, thotë se kongresisti Joe Wilson ka qenë, prej kohësh, pjesë e Grupit të Miqësisë me Serbinë në Kongresin amerikan.

“Ai është përfshirë në këtë grup qysh kur unë isha ambasador në SHBA, kur u formua grupi i parë për Serbinë, kështu që ka përvojë. Ai është edhe anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme”, thotë Vujaçiq.

Grupi i Miqësisë me Serbinë në Kongresin amerikan u formua në vitin 2004 si një grup joformal dypartiak, me synimin për të forcuar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

Duke theksuar se procesi i miratimit të ligjeve është i ndërlikuar dhe i gjatë, Vujaçiq nuk pret që projektligji të miratohet para zgjedhjeve të nëntorit.

“Është ende larg miratimit si ligj. Çështja është se kur do të futet në rend dite. Nuk shoh ndonjë urgjencë apo mënyrë që ai të miratohet para zgjedhjeve”, thotë Vujaçiq.

Zgjedhjet e mesmandatit të presidentit Donald Trump, që mbahen më 3 nëntor, janë vendimtare për përcaktimin e balancës së forcave në Kongres.

Në nëntor do të votohet për të gjithë përbërjen e Dhomës së Përfaqësuesve, dhomës së ulët të Kongresit, si dhe për një të tretën e Senatit.

E ardhmja e Dialogut Strategjik

Sipas projektligjit të paraqitur nga Wilson dhe Keating, parashihet pezullimi i Dialogut Strategjik, përveç nëse në kuadër të tij trajtohen çështjet e përcaktuara në projektligj.

Projektligji obligon sekretarin amerikan të Shtetit që, para takimeve në kuadër të Dialogut Strategjik, t’u konfirmojë komiteteve për punë të jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit se do të trajtohen marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin.

Po ashtu, kërkohet që të diskutohen çështje që lidhen me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, luftimin e korrupsionit, reformat në sundimin e ligjit, forcimin e qeverisjes demokratike, lirinë e shtypit dhe lirinë e tubimit.

I pyetur se çfarë do të nënkuptonte për Serbinë një ndërprerje eventuale e Dialogut Strategjik, Vujaçiq vlerëson se ky dialog “është më shumë në fazën e paralajmërimit sesa diçka konkrete”.

“Ende nuk e shoh se cilat janë mundësitë e këtij Dialogu Strategjik. Madje, të paktën nga ajo që është paralajmëruar deri tani, nuk shoh ndonjë përfitim të madh për Serbinë nga ky dialog, përveçse fokusit tek energjia”, thotë ai.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se, përmes Dialogut Strategjik, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për synime të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve ekonomike dhe arsimore, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë.

Në kuadër të Dialogut Strategjik, Shtetet e Bashkuara dhe Serbia nënshkruan në mes të korrikut një Memorandum Mirëkuptimi për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë energjetike rajonale.

SHBA-ja mirëpriti vendimin preliminar të Serbisë për të vazhduar realizimin e projektit hidroenergjetik Gjerdap III, si projekti i parë i identifikuar në kuadër të marrëveshjes ndërqeveritare për energjinë.

Ky projekt shihet si një hap drejt rritjes së pavarësisë energjetike të Serbisë.

Uashingtoni e konsideron frenimin e ndikimit kinez dhe rus si një prej interesave kryesore në Ballkanin Perëndimor.

Zvogëlimi i varësisë energjetike të Ballkanit Perëndimor nga Rusia është gjithashtu një prej synimeve të Aktit amerikan për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, të miratuar në mesin e dhjetorit të vitit 2025.

Në të njëjtin ligj, si synim përcaktohet edhe zvogëlimi i ndikimit të Kinës në rajon. REL