Kurti kritikon 6 deputetët e LDK-së që nuk do të votojnë për Sejdiun, sjelljen e tyre e quan “të dëmshme dhe absurde”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave pas takimit që ka mbajtur me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Pas këtij takimi, Kurti ka thënë se të gjithë e kanë mirëpritur procesin negociator që është zhvilluar me LDK-në dhe marrëveshjen që kanë arritur për ta propozuar për President, profesor Bekim Sejdiun. Ai…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur para mediave pas takimit që ka mbajtur me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas këtij takimi, Kurti ka thënë se të gjithë e kanë mirëpritur procesin negociator që është zhvilluar me LDK-në dhe marrëveshjen që kanë arritur për ta propozuar për President, profesor Bekim Sejdiun.
Ai është shprehur i lumtur për këtë mbështetje.
“Natyrisht që kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të kohëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënës qëndrimi i kryesisë së LDK-së, por në anën tjetër patëm edhe njoftimin negativ që 6 deputetë nga 18 sa i ka LDK nuk e mbështesin Sejdiun për President të Republikës. Kjo është një situatë e re që kërkon në njërën anë unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe të rikthehemi në kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet ta ndjekim përpara”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se ky veprim i gjashtë deputetëve të LDK-së, është i papërgjegjshëm, i dëmshëm dhe absurd ndërsa ka thënë se ata po kanë interes e vullnet që të shkojnë në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vite.
“Qytetarët kanë folur edhe me 9 shkurt, me 28 dhjetor të vitit 2025 kanë folur edhe me 7 qershor 2026. Nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që janë të dëmshme për stabilitetin institucional, për funksionimin demokratik por njëkohësisht edhe për buxhetin e shtetit”, ka thënë Kurti.
Ai i ka falenderuar grupin punues të LDK-së me të cilët kanë arritur këtë marrëveshje, ndërkaq ka thënë se marrëveshja është lajm i mirë për skenën politike dhe demokracinë në Kosovë sepse sipas tij nevojiten negociata shterruese ashtu që të kenë pajtueshmëri për rrugën përpara.
“Negociatat nënkuptojnë që nuk do të ketë emër të përveçëm për resident të njërës palë, por duke e diskutuar parimisht konceptualisht njëherë për atributet, tiparet, karakteristikat e kontributet e figurës presidenciale e më pas duke qarkulluar e diskutuar për emrat e përveçëm ka mundësi të arrihet zgjidhja. Ju e dini që në legjislaturën e dhjetë, pas tërheqjes së Glauk Konjufcës nga kandidatura bashkë me Fatmire Mullhaxha Kollçaku, pasi nuk pati propozime nga opozita ne sollëm një lidere të shoqërisë civile, Feride Rushitin. Ajo i ka pasur 64 vota në kuti me votim të fshehtë. Tash profesor Bekim Sejdiu, mund të themi se dje i kishte 80 vota, sot i ka 74 vota, pra jemi një lëvizje nga 64 vota te Feride Rushiti te 74 vota për Bekim Sejdiun. Këtë fjalë po e përmbylli që për mua si kryetar i VV-së, si kryeministër në detyrë i Kosovës si udhëheqës i ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike është e vlefshme dhe qëndron”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se kjo marrëveshje është e mirë, e drejtë dhe e dobishme.
“Çfarë të bëjmë që kishim këtë veprimin negativ të 6 deputetëve që duket qartë se nuk e kanë aq kundër Bekim Sejdiut sa kundër Qeverisë që unë e udhëheq. Por, për atë ekziston opozitarizmi në Kuvend, për atë ekzistojnë zgjedhjet e lira demokratike ku matesh me popull dhe përfaqëson votuesit e tu. Nuk mundemi që pafundësisht t’i përsërisim zgjedhjet me rezultat të njëjtë me shpresë që ndoshta kësaj radhe rezultati do të jetë një çik më ndryshe”, ka thënë Kurti. /Lajmi.net/